RTSH Sport Live

Kuqezinjtë, stërvitje me grup të plotë

  • 21/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Kuqezinjtë, stërvitje me grup të plotë
E enjtja shënon fundin e përgatitjeve në Durrës, të premten drejt Tel-Avivit

Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar përgatitjet e saj për ndeshjen e së shtunës ndaj Izraelit në transfertë, kjo për Ligën e Kombeve. Është seanca e parafundit në Durrës, të radhës do ta kryejnë të enjten, ndërsa të premten kuqezinjtë e Edi Rejës do të udhëtojnë drejt Tel-Avivit. Grupi i lojtarëve ka qenë i plotë nën drejtimin e Rejës, ndërsa gjithçka është përqendruar në përgatitjen e ndeshjes me Izraelin, shumë e rëndësishme për sa i përket renditjes në Ligën e Kombeve.

Aq më tepër që nga renditja përfundimtare në Ligën e Kombeve do të varet dhe pozicionimi për shortin e kualifikueseve të Kampionatit Europian 2024. Myrto Uzuni, që është shqetësimi kryesor i kuqezinjve, kjo për shkak të dëmtimit në tendinat e kaviljes, të mërkurën ka bërë stërvitje me grupin, kurse zëvendësuesi i tij i mundshëm, Eljon Toçi, është kthyer nën urdhërat e Alban Bushit për miqësoret me Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut U-20.

Duket si e vështirë që Uzuni të jetë me Izraelin, por të paktën të jetë për ndeshjen e 27 shtatorit ndaj Islandës. E dyshja e sulmit ndaj Izraelit duket se do të jetë Cikalleshi e Broja, por gjithsesi të gjitha do të mund të vendosen në stërvitjen e fundit në Tel-Aviv, kurse gjendja e kuqezinjtë në përgjithësi është normale.