RTSH Sport Live

Kur futbolli refuzon “vesin”

  • 16/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Kur futbolli refuzon “vesin”
Ronaldo e Pogba largojnë pijet nga konferenca, Mavraj 5 vite më parë refuzoi birrën

E beri Cristiano Ronaldo, e përsërit edhe Paul Pogba por ky është një trend i njohur në botën e sportit, madje shqiptarët janë të familjarizuar me sjellje të tilla. Gjatë fazës përgatitore të Austrisë në prag të startit të Euro 2016, Mërgim Mavraj refuzoi të vishte fanellë me mbishkrim emrin e një sponsori birre. Ai e justifikoi këtë vendim me faktin se besimi i tij mysliman nuk ka lejonte një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, ish-mbrojtësi i kombëtares trazoi disi situatën në kampin kuqezi duke future në krizë marrëdhënien mes sponsorit kryesor të Kombëtares Shqiptare dhe FSHF-së që u gjet e papërgatitur për një situatë të tillë.

Rasti i Cristiano Ronaldos, sot 5 vite më vonë bëri xhiron e botës. Luzitani nuk ka asnjë lidhje me çështjet fetare, por ai preferoi të jepte një mesazh më të drejtëpërdrejtë, thënë më saktë, një mesazh të shëndetshëm. Rekordmeni i golave europianë shkaktoi një tërmet jo të vogël në bursë ku gjigandi amerikan me qendër në Atlanta u zhvleresua me disa miliarda dollarë dhe pasojat ashtu si në rastin e FSHF mund t’i ndiejë UEFA që ligjërisht ose jo duhet të qartësojë pozicionin e saj në këtë situatë.

Pozitat e institucionit më të rëndësishëm të futbollit europian bëhen edhe më të komplikuara në marrëdhëniet me sponsorët edhe pas rastit të fundit, atë të Paul Pogba. Në njëfarë mënyre, mesfushori francez kishte të njëjtin justifikim me Mërgimin në këtë rast kur largoi nga tavolina e konferencave birrën.

Shpesh herë mesazhet janë të qarta nga vetë lojtarët që për çështje politike kërkojnë të ruajnë distancën dhe ta mbajnë futbollin larg temave të tilla delikate, por këto tre shembuj nuk përjashtojnë as të kundërtën, pra faktin se në rastet kur një politikë marketingu nuk përputhet me këndvështrimin e lojtarëve, ata ngrenë zërin dhe ndonjëherë edhe dorën.