RTSH Sport Live

Laçi, fatin e ka të lidhur me penalltitë

  • 10/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Laçi, fatin e ka të lidhur me penalltitë
Kurbinasit fitojnë 3-2 me njëmbëdhjetëmetërsha dhe janë gjysmëfinalist të Kupës së Shqipërisë

Laçi është gjysmëfinalist i Kupës së Shqipërisë, veçse jo nga loja, por nga gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë. Bruno Puja, portieri i Egnatias, bëhet “barrikadë” e pakalueshme për kurbinasit, ndërsa tek njëmbëdhjetëmetërsha, as ai e as pjesa tjetër e skuadrës rrogozhinase nuk kanë fat. Laçi fiton 3-2, ndërsa për kurbinasit kanë shënuar Guindo, Ujka dhe Deliu, por kanë gabuar Velkovski dhe Mazrekaj. Kurse për Egnatian kanë shënuar Krivanjiva dhe Krasniqi, ndërsa Lila, Xhekson dhe Magani nuk patën shënjestrën e duhur.

Ndaj Laçi është në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Në fakt kurbinasit e kanë dominuar lojën, ndërsa Bruno Puja i thotë “jo” pësimit të golit në të 22’ pas gjuajtjes së Mazrekajt. Për vendësit krijon imazhin e golit Zylfiu, që godet në pozicion diagonal me portën rrogozhinase, por jashtë. Edhe një herë tjetër del në pah Puja, që shmang golin në goditjet e Qatos në të 43’ dhe në të 45’. Në pjesën e dytë mundësinë më të mirë për të kaluar Laçin e ka Deliu në të 59’, gjuan në formë roveshiate, por grushton Puja. Gjërat duket sikur vështirësohen për Egnatian, teksa Agbekpornu ndëshkohet me karton të kuq.

Por duket se nuk është dita e Laçit. Ruganoviç në të 83’ dhe Mazrekaj me goditje dënimi në të 87’ e kanë shënjestrën e gabuar dhe në vërshëllimën e fundit të Orlando Kukës ndeshja i drejtohet kohës shtesë. Mundësia e vetme për të qenë Egnatia surprizë e Kupës së Shqipërisë ka ardhur në të 91’, por Gëzim Krasniqi me kokë është i pafat. Duket sikur skuadrat besojnë më tepër në aftësitë e tyre tek penalltitë, ndërsa Guindo thjeshtë tregon se është aty. Në të 102’ dhe 108’, edhe pse ka gjuajtur me kokë, ka qenë krejtësisht gabim.

Kështu Laçi e pati fatin tek penalltitë, ndërsa u kualifikua për në gjysmëfinale, por me shumë të meta në lojë. Ndoshta kurbinasit e kanë të vështirë të zëvendësojnë Regi Lushkjan, larguar tek Sherif Tiraspol, e për rrjedhojë Laçi ka vështirësi të mposhtë edhe një skuadër si Egnatia, që bëri më shumë se sa rezistencë.