RTSH Sport Live

Laçi, fitore me përmbysje në Korçë

  • 14/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi, fitore me përmbysje në Korçë
Kurbinasit kanë arritur të mundin Skënderbeun me rezultatin 2-1

Laçi ka arritur të marrë një fitore 2-1 në Korçë përballë Skënderbeut, në ndeshjen e javës së 34-ët të “Abissnet Superiore”. Një ndeshje pa ndonjë objektiv përsa i përket pikëve, por që kurbinasit nuk kanë falur, madje duke fituar me përmbysje.

Një ndeshje që nisi e vakët për të dyja skuadrat, për shumë minuta munguan rastet për shënim. Gjithsesi, goli i avantazhit mbërriti në fundin e pjesës së parë, kur kishin mbetur dhe tre minuta lojë dhe ata që festuan ishin vendasit. Pas një topi të marrë nga Mara është Pusi që gjen rrugën e rrjetës.

Në mbyllje të pjesës së parë kurbinasit pretenduan për një penallti, por pas konsultimeve edhe me VAR, gjithçka mbeti në kornizën e kontestimeve. Pjesa e dytë është më ndryshe, rastet nuk mungojnë: Mensah nga njëra anë dhe Mazrekaj nga ana tjetër japin sinjale të qarta.

Goli do të vijë në minutën e 80-të dhe kësaj radhe është Laçi që shënon. Guindo fiton dhe më pas tranformon në gol një 11-metërsh, është 1-1. Por nuk mbyllet këtu. Në minutët e 88-të të sfidës është kapiteni Turkaj që shënon golin e avantazhit për kurbinasit pas një rrëmuje në zonën korçare. 2-1 për Laçin, që ka siguruar vendin e dytë, ndërsa Skënderbeu ka rënë në Kategorinë e Parë.