RTSH Sport Live

Laçi, i përqëndruar te Kupa

  • 12/04/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Laçi, i përqëndruar te Kupa
Trajneri Duro do të bëjë modifikime të vogla për gjysmëfinalen me Teutën

Ndeshjen e parë me Mirel Josën, atë të kthimit me Shpëtim Duron por nëse trajnerët kanë ndryshuar, objektivi jo. Laçi kërkon që këtë sezon ta mbylle me një trofe dhe në garë plotësisht është vetëm për Kupën e Shqipërisë ku do të kërkojë të ruajë avantazhin e fitores 2-1 në gjysmëfinalen e parë kundër Teutës. Trajneri Shpëtim Duro ka punuar me skuadrën gjatë dy ditëve të fundit kryesisht në aspektin fizik, duke llogaritur edhe ngarkesën që ka lënë ndeshja me Vllazninë në fundjavë.

Barazimi në Shkodër e largon përfundimisht ekipin kurbinas nga orbita e titullit dhe tashmë e gjithë vëmendja është fokusuar te Kupa. Tekniku kryeqytetas nuk do ta ketë grupin të plotë për duelin e kthimit me durrsakët, i kushtëzuar nga dëmtimet e Mazrekajt dhe Malotës. Mesfushori i avancuar u dëmtua në transfertën e Shkodrës ashtu si edhe qëndërmbrojtësi dhe shanset që të dy të zbresin në fushë janë minimale.

Gjithsesi, avantazhi i 90 minutëshit të parë është jo pak i rëndësishëm për të shënjestruar objektivin. Mungesa e një stoli të bollshëm e shtyn Duron të bëjë modifikime shumë të vogla krahasuar me skuadrën e pak ditëve më parë ndërsa në majën e sulmit Guindo do të kërkojë të ndëshkojë durrsakët ndërsa mund të ketë minuta edhe për nigerianin Akinyiemi.