RTSH Sport Live

Laçi, një “shuplakë” golash Dinamos

  • 03/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Laçi, një “shuplakë” golash Dinamos
Blutë kryeqytetas kapitullojnë 0-5 në Kurbin, laçjanët vazhdojnë ngjitjen me Josën

Me takimin e luajtur në Laç midis skuadrës vendase dhe Dinamos ka ngritur siparin java e 11-të, që është edhe java e dytë e fazës së dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në fakt, takimi ka nisur shumë mirë për kurbinasit, që gjejnë rrugën e rrjetës pas vetëm 6 minutash lojë, me anë të Saliu Guindosë. Dinamo do të mungohet të reagojë, por goditja e Ibrahimit në minutën e 13-të do të ndalet në shtyllën e portës së gardianit vendas, Dajsinanit, ndërsa gjysmëora e mbetur e pjesës së parë do të shohë blutë kryeqytetas të bëjnë një vëllim më të madh loje dhe të ndërtojnë raste, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës.

Për rrjedhojë, 45 minutat e para do të mbyllen me epërsinë minimale të vendasve, ndërsa ato të dytat do të flasin vetëm për miqtë, që do të dyfishojnë shifrat në minutën e 54-t, me anë të Zarubicës. Vetëm 6 minuta më pas, kurbinasit thellojnë epërsi, teksa Julian Shehu godet zgjuarsish dhe saktësisht me kokë, pas një harkimi nga goditja e këndit duke firmosur golin e tretë për Laçin. Ndërkaq, fati i këtij takimi do të vuloset në 17 minutat e fundit, kur Laçi do të gjejë edhe dy gola të njëpasnjëshëm.

Guindo do të realizojë të katërtin e kurbinasve dhe të dytin personal në këtë takim, pas një aksioni të bukur të vendasve në minutën e 73-të dhe, 3 minuta më pas, Lushkja shënon të pestin për kurbinasit, vulosur një humbje të turpshme të Dinamos. Me këtë fitore 5-0, Laçi ngjitet hëpërhë në vendin e 4-t, duke shkuar në kuotën e 15 pikëve, ndërsa Dinamo mbetet në vendin e 6-të, në kuotën e 13 pikëve, duke pasur dhe mbrojtjen më të dobët të kampionatit me 19 gola të pësuar.