RTSH Sport Live

Laçi, skuadra që kohën e përdor në favor

  • 23/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Laçi, skuadra që kohën e përdor në favor
Vitet kalojnë por grupi kurbinas nuk ndryshon. Ndaj Kraiovas realizoi një kryevepër

E pësoi Anorthosis në vitin 2018, në 2020-ën Keshla ndërsa këtë sezon fillimisht Podgorica dhe mbrëmjen e 22 korrikut edhe një skuadër e të gjithë respektit si Universitatea Craiova. Laçi nuk bën ulje çmimi për askënd, kjo skuadër ose më saktë ky klub është ndoshta si vera, sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë fermentohet dhe bëhet më i shijshëm në Europë. 90 minutëshi i Elbasanit tregoi shumë. Laçi është një skuadër që ka fituar karakter modern. Një skuadër që sulmon dhe mbron si një e vetme.

Përtej disa stonaturave të kuptueshme në fillim të ndeshjes, skuadra bardhezi frymëzoi me një futboll të bukur për t’u ndjekur dhe interesant për t’u studiuar. Asnjëherë në panik dhe gjithmonë me këmbën aty gati për të kërkuar topin e parë, të dytë apo të tretë. Ekip që trajneri Shptim Duro e ka mësuar të durojë edhe kur vuan por të sulmojë në momentin më të volitshëm. Goli që vendosi ndeshjen, kundërsulm model me 3 lojtarë të përfshirë dhe finalizim cinik që erdhi si rrjedhojë e një skeme të mirëmenduar.

Asgjë në dorë të rastësisë, Laçi shënoi dhe e mundi skuadrën rumune në momentin e saj më të mirë, ndërsa pas avantazhit shpalosi gjithë madhështinë e një grupi europian. Trajneri Duro nuk hoqi dorë asnjëherë nga teknika dhe shpejtësia e skuadrës në fazën sulmuese duke kërkuar edhe të dytin, ndërsa mbrojtja filtroi me sukses çdo top të mundshëm të kundërshtarëve, madje këtë e bëri me një lehtësi të mahnitshme. Alen Sherri me siguri nuk mban mend pritje drithëruese në pjesën e dytë.

Skuadër e rinovuar pjesërisht por në asnjë moment nuk krijoi përshtypjen se mund të ketë humbur copçza të rëndësishme nga grupi i sezonit të kaluar. Vitet kalojnë por grupi bardhezi nuk ndryshon, është përherë aty, i gatshëm për të shkaktuar surpriza të ëmbla dhe nëse një javë më pas do të ruajë kështjellën me sukses, atëherë për Laçin hapet një dritare e rëndësishme, për herë të parë, raundi i tretë i një kompeticioni europian ku pret Anderlehti madhështor.