RTSH Sport Live

Lacio, Hysaj kryen vizitat mjekësore

  • 08/07/2021
  • |
  • Itali
Lacio, Hysaj kryen vizitat mjekësore
Pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit kryeqytetas

Elseid Hysaj vishet bardhekaltër. Tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi por mbrojtësi shqiptar ka finalizuar transferimin në Romë ku do të ribashkohet me trajnerin Maurizio Sarri, i cili e vendosi në krye të listës së dëshirave menjëherë pas firmës me klubin kryeqytetas. Hysaj ka nënshkruar një kontratë 4-vjecare nga e cila do të përfitojë rreth 2 milionë Euro në sezon por fillimisht gjatë ditës së mërkurë ai u paraqit në klinikën “Paideia” për testet mjekësore.

Për rreth 1 orë e gjysmë, Hysaj iu nënshtrua të gjitha testeve rutinë dhe tashmë pritet që klubi ta bëjë publik transferimin e shqiptarit në Romë. Shkodrani u largua nga Napoli me parametra zero. Lazio përfitoi nga ky fakt duke e transferuar 27-vjecarin pa paguar asnjë qindarkë. Pas Hysajt do të jetë radha e brazilianit Felipe Anderson i cili do të rikthehet te Lazio pas 3 sezoneve te West Ham dhe ndalesës së shkurtër në Portugali.

Hysaj pritet të rreshtohet titullar në hierarkinë e formacionit të Maurizio Sarrit i cili e konsideron si shumë të rëndësishëm në formacionin e tij 4-3-3 ndërsa në portë pritet të rikthehet Tomas Strakosha që duket në rrugën e mbarë për të rinovuar kontratën që skadon vitin e ardhshëm.