Lazlo Saz është fituesi i edicionit të tetë të Hill Climb, apo Trofeut Skënderbej, që si gjithnjë, të shtunën e të dielën, u zhvillua në Sarisalltik të Krujës. Është fitues për herë të tretë radhazi, ndërsa ky edicion i tetë solli shumë spektakël, emocione dhe diferenca me të qindtat e sekondës mes fituesve të tre vendeve të para. E shtuna ishte për kualifikueset, apo radhën e nisjes së pilotëve në finale, kurse e diela për fituesit. Hill Climb është e vetmja garë që zhvillohet në Shqipëri e regjistruar në kalendarin e Federatës Botërore të Automobilizmit, ndërsa është e vlefshme për Kampionatin e Zonës Sportive të Europës Qendrore.
Lazlo Saz ka regjistruar kohën më të mirë 2’13”063, kjo në seksionin e parë të garës. Pas tij piloti kosovar Gazmend Devolli 2’19”630 dhe në vend të tretë Valdet Kaqandolli 2’26”358. Në këtë garë morën pjesë pesë pilotë shqiptarë Ervin Kosova, Gentian Kulla, Julian Sami, Rejnald Zylfi dhe Elton Shkurta, të cilët bënë një paraqitje shumë të mirë. Në ndarjen në grupe, Ervin Kosova u rendit i pari në Grupin 2, ndërsa Gentian Kulla i treti në Grupin 5. Një garë ku morën pjesë 30 pilotë në Kategorinë Pro, ndërsa kjo ishte e veçanta e edicionit të tetë të Hill Climb, që u zhvillua me makina me elementë sigurie sipas standardeve të Federatës Botërore të Automobilizmit.