RTSH Sport Live

Lautaro Martinez: Botërori, i kushtëzuar nga dëmtimi

  • 24/12/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Lautaro Martinez: Botërori, i kushtëzuar nga dëmtimi
Sulmuesi i Interit për festën: “Janë ndjesi të jashtëzakonshme”

Lautaro Martinez gjithashtu u kthye në shtëpi pas triumfit të tij në Katar dhe u përshëndet nga qindra fansa që u mblodhën në Teatrin Komunal në Bahia Blanca, vendlindja e tij në Argjentinë. "Janë ndjesi të pabesueshme, unike, momente që kam ëndërruar t'i përjetoj dhe t'i realizoj, dhe pa dyshim, pas 36 vitesh, sjellja e Kupës në shtëpi ishte ëndrra e çdo djali dhe çdo argjentinasi. Me gjithë atë që kushtoi, të gjithë duhet ta festojnë këtë ditë”, ka thënë sulmuesi i Interit.

Ndër kujtimet më të rëndësishme të Botërorit të tij, është sigurisht penalltia që vendosi ndeshjen kundër Holandës. "Kisha vendosur të gjuaj nga ana tjetër. Më vonë kur arbitri sinjalizoi, vendosa të ndaloja. Pashë portierin duke lëvizur një sekondë më herët dhe vendosa të ndryshoja drejtimin”, shpjegoi ai. "Për fat topi përfundoi brenda. Lumturia është e dyfishtë, arritëm të vulosim kalimin për gjysmëfinale. Në atë moment duhet të jesh i qetë", kujton ai.

Fitorja ishte gjithashtu e rëndësishme sepse e lejoi Messin të fitonte trofeun e fundit që i mungonte: “Ne e dinim se çfarë do të thoshte Kupa e Botës për Leon dhe, sinqerisht, çfarë gjeneron për ne, brenda dhomave të zhveshjes dhe në botën e futbollit. Mendoj ne të gjithë donim që Argjentina të fitonte Kupën e Botës. Pjesërisht, ne gjithashtu i dhamë Messit një avantazh për të arritur atë qëllim, atë që ai e donte aq shumë. Në atë përqafim me të kishte fjalë mirënjohjeje për mënyrën sesi e jetoi dhe udhëzoi secilin prej nesh nga brenda për të arritur këtë objektiv”.

“Forca e grupit shkonte përtej individit. Unë kisha problem me kyçin e këmbës, kisha vuajtur shumë dhe për një muaj më duhej të bëja mjekime. Ndoshta nuk ishte një Botëror siç e prisja, nuk isha duke luajtur me qetësi. Përqafimi që i dhamë njëri-tjetrit pasi mundëm Kroacinë ishte lumturi, ishim në një finale të Kupës së Botës", përfundoi ai.