RTSH Sport Live

Lazio përballë Bayern, Igli Tare: Nuk nisemi të mundur, besojmë

  • 14/12/2020
  • |
  • Futboll Bota
Lazio përballë Bayern, Igli Tare: Nuk nisemi të mundur, besojmë

Në një intervistë të dhënë për mikrofonët e UEFA-s, Drejtori Sportiv i Lazio-s, Igli Tare ka komentuar impenjimin e ardhshëm të skuadrës italiane në arenën Europiane, ku e prêt një sfidë e vështirë, përballja me Bayern.

“Më mirë se kaq nuk mund të shkonte… Shaka, do të përballemi me skuadrën që ka fituar edicionin e fundit të Champions League. Bayern niset si favorite absolute, por edhe ne nuk nisemi të humbur. E kemi treguar dy herë përballë Borussia Dortmund, do të përpiqemi ta interpretojmë këtë përballje me shumë entuziazëm, sepse e kemi merituar. Është e qartë, nuk jemi të favorizuar në këtë sfidë, por mund të besojmë dhe të bëjmë një surprizë”, ka deklaruar Igli Tare.

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito ka komentuar shortin e Champions: “Do të përballemi me skuadrën e konsideruar si më e forta e momentit. Shpresoj që skuadra të kuptojë rëndësinë e momentit dhe të kompeticionit dhe të tregojë të gjithë potencialin e saj. Uroj që të demostrojë të gjithë energjinë për të vërtetuar se e meritojmë të jemi në arenën ndërkombëtare”.

Trajneri Inzaghi: “Një stimul për tu rritur” – Trajneri i Lazio, Simone Inzaghi ka komentuar sfidën Chmpions me Bayern. “Unë mendoj se të gjitha skuadrat e vazos së parë janë elitare. Do të përballemi me kampionët e Europës, një stimul më shumë për tu rritur gjatë këtyre dy muajve. E dimë se çfarë kemi bërë, për ne duhet të jenë vetëm një motiv më shumë për të arritur në këtë përballje në mënyrën më të mirë të mundshme”.