RTSH Sport Live

Leao rinovon me Milanin deri në vitin 2028

  • 02/06/2023
  • |
  • Itali
Leao rinovon me Milanin deri në vitin 2028
Pas shumë muajsh negocimesh intensive, palët kanë rënë akord të vazhdojnë bashkëpunimin

Tanimë është zyrtare: Milani ka bërë të ditur se Rafael Leao ka firmosur një kontratë të re me klubin kuqezi. Pas shumë muajsh negocimesh intensive, palët kanë rënë akord të vazhdojnë bashkëpunimin midis tyre deri 2028-ën. Rinovimi i kontratës së portugezit ka qenë një temë e nxehtë gjatë këtyre muajve të fundit, por çështja nisi të marrë zgjidhje gjatë këtyre dy-3 javëve të fundit. Dhe ka qenë klubi milanez që ka njoftuar zyrtarisht rinovimin me një njoftim të shkurtër në faqen e tij zyrtare në Internet. “Milani ka kënaqësinë të bëjë të ditur zgjatjen e kontratës me Rafael Aleksandre da Konseisão Leãos deri më 30 qershir të 2028-ës”, shkruhet në njoftimin e klubit kuqezi.

“I ardhur në verën e 2019-ës, Rafael Leao ka luajtur 162 ndeshje, duke realizuar 41 gola dhe duke dhënë 29 pasime për gol për fanellën kuqezi, duke e konsoliduar veten në kampionatin e fundit italian si “Lojtari më i Mirë i Serisë A”, - vijon njoftimi në fjalë, që në mbyllje thekson: “Milani dhe Rafaeli do të vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët”. Futbollisti i krahut pritet të fitojë rreth 5 milionë Euro në muaj, plus  shpërblimet, që llogariten edhe 2 milionë Euro të tjera, deri në 2028-ën.

Po kështu, marrëveshja e re ka një klauzolë prej 175 milionë Eurosh, sikundër e kanë konfirmuar edhe burime zyrtare pranë klubit italian, që kanë sqaruar edhe faktin se ai do të mbajë në vazhdim nr. 10 në fanellë. Një kontratë padyshim e favorshme kjo për Milanin, veçanërisht teksa dihet që një numër i madh klubesh kanë shprehur interes për futbollistin e përfaqësueses së Portugalisë. Leao e ka gjetur rrugën e rrjetës 14 herë këtë sezon, duke dhënë pasimin e golit edhe për 15 gola të tjerë.

Këto janë shifra mbresëlënëse për këtë futbollist dhe nuk ka dyshim se ky rinovim përbën një sukses të madh të dyshes drejtuese të Milanit, Paolo Maldinit, dhe Riki Masarës.