RTSH Sport Live

Leclerc ndërron motor në Austin

  • 20/10/2022
  • |
  • Formula 1
Leclerc ndërron motor në Austin
Dënohet me 5 vende në nisjen e garës së të dielës

Kanë nisur me probleme përgatitjet e Charles Leclerc për Çmimin e Madh të Amerikës. Piloti i Ferrarit do të zëvendësojë njësinë me djegie të brendshme të motorit të makinës së tij. E për këtë arsye do të penalizohet me 5 vende në nisje të garës. Kjo lëvizje e bërë nga fabrika e Maranellos nuk është bërë për arsye të besueshmërisë, por nga dëshira për të eksperimentuar për sezonin e ardhshëm.

Ndryshimet në njësinë e fuqisë së motorit, siç dihet, janë ngrirë nga rregullorja, kështu që ky te Ferrari nuk është një ndërhyrje apo një specifikim i ri në motorin e makinës së kuqe. Kujtojmë se deri tani FIA ​​lejon modifikime të motorëve të makinave, pasi ka rënë dakord me ekipet kur bëhet fjalë për përmirësime që përfshijnë besueshmërinë.

Ferrari, i cili këtë vit kishte probleme me menaxhimin e njësisë së fuqisë, është e kuptueshme që kërkon përmirësime në këtë sezon, në mënyrë që t'i shfrytëzojë në botërorin e 2023. Prandaj, zëvendësimi i njësisë endotermike në makinën e Leclerc në garën në Teksas duhet të lexohet si një çelës për të ardhmen në njëvendëshen e kuqe.