RTSH Sport Live

Lëklerk dhe Sainz “shijojnë” Ferrarin e ri

  • 16/02/2023
  • |
  • Formula 1
Lëklerk dhe Sainz “shijojnë” Ferrarin e ri
Kryejnë 100 km e para me njëvendëshen SF-23 në Fiorano

Ferrari del në pistë. Menjëherë pas prezantimit të makinës së re, të dy pilotët, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz kanë dalë në pistën e Fioranos për të  bërë xhirot e para me njëvendëshen SF-23. Motorët e makinave që do të garojnë në botërorin 2023 të Formula 1, kanë gjëmuar sërish në pistën e shtëpisë së Ferrarit.

Për një distancë maksimale prej njëqind kilometrash të dy pilotët kanë shijuar makinën e re, me goma "demo", përpara se njëvendëshet të paketohen dhe të nisen për në Bahreinin, ku Carlos Sainz dhe Charles Leclerc, do të dalin në pistë për testet parasezonale të planifikuara nga e enjtja 23 deri të shtunën 25 shkurt.

Ka qenë një ditë interesante, pasi 100 km e kryera nga të dy pilotët janë xhiruar, në pistën e Fioranos dhe në praninë e rreth 400 fansave. Si një film, këto momente do të mbeten në arkivat e historisë së Ferrarit.

Dhe makina e re është një magji, të cilën mund ta krijojë vetëm Ferrari. Të gjithë mezi presin ta shikojnë në pistë duke shpresuar në besueshmërinë dhe vazhdimësinë e makinave të reja.