RTSH Sport Live

Liçensimi, FSHF kërkon angazhim

  • 20/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Liçensimi, FSHF kërkon angazhim
Klubet duhet të plotësojnë kriteret, në të kundërt nuk do të tolerohen 

Federata Shqiptare e Futbollit po punon në mënyrë që standartet e liçensimit të Superiores të jenë të njëjta me ato të vendosura për pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s. Institucioni qëndror i futbollit shqiptar i ka kushtuar një rëndësi të vecantë këtij procesi dhe për t’i dhënë më shumë peshë, në lojë është futur edhe presidenti i federatës, Armand Duka që bashkë me drejtuesit e sektorit të liçensimit, kanë zhvilluar takime të veçanta me të gjithë përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore.

Në të shkuarën, liçensimi i klubeve të superiores por edhe i klubeve që kanë marrë pjesë në Europë, ka çaluar dhe gjithcka doli në sipërfaqe pas vendimit që UEFA mori në lidhje me Tiranën. Çdo klub futbolli është i detyruar të përmbushë kriteret e vendosura në Rregulloren e Liçensimt të Klubeve për të siguruar një “Liçensë të UEFA-s dhe FSHF-së”, e detyrueshme për pjesëmarrje në kompeticionet e tyre dhe data përfundimtare për dorëzimin e dokumentacionit është 31 Marsi.

Mes 5 kritereve strikte që duhen respektuar është edhe ai financiar, thembra e akilit të shumë klubeve shqiptare. UEFA ka ngritur një sistem të ri ku të gjithë klubet shqiptare të interesuara për t’u liçensuar, duhet të plotësojnë një formular me të dhënat e kërkuara në mënyrë që filtri të jetë më i hollë dhe kjo u është bërë me dije edhe klubeve që me asistencën e federatës do të punojnë për të plotësuar dosjen në mënyrë sa më korrekte.

E njëjta praktikë do të ndiqet edhe me klubet e kategorisë së parë që do të instruktohen të enjten për të gjitha hapat që duhet të ndjekin pasi kriteret duhet të respektohen për të përfituar liçensën, në të kundërt, nuk do të lejohet pjesëmarrja në Kategorinë Superiore edhe nëse këtë të drejtë do ta fitojnë në fushën e lojës.