RTSH Sport Live

Liga e Europës: Ajaks-Roma, supersfida e çerekfinaleve në RTSH

  • 07/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Liga e Europës:  Ajaks-Roma, supersfida e çerekfinaleve në RTSH
E enjta europiane në RTSH Sport sjell edhe golat e të gjitha sfidave në të dyja fashat orare, 18:55 dhe 21:00.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, supersfida e çerekfinaleve të Ligës së Europës, ajo mes Ajaksit dhe Romës do të serviret për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Përveç sfidës së përzgjedhur, që  do të transmetohet në RTSH, e enjta europiane në RTSH Sport sjell edhe golat e të gjitha sfidave.

Është koha e çerekfinaleve dhe tani vazhdojnë të ndihen ethet e mundësisë për të fituar trofe. Ndoshta sepse të gjitha përballjet e programuara kanë favoritët e tyre, me përjashtim të njërës: asaj që luan aktin e parë në Amsterdam dhe që sheh përballë dy skuadra potencialisht në ekuilibër, Ajaks-Roma.

Roma e Fonsecas ka nga ana e saj eksperiencën, ndërsa hollandezët duan të besojnë se eliminimi i Juventusit dy vite më parë mund të përsëritet. Në fakt, Ten Hag nuk është pa problem, me grupin e lojtarëve që rrezikojnë të mos jenë të pranishëm në këtë sfidë, është edhe ish-i,  Stekelenburg.

E sigurtë mungesa e Schuurs, që ka problem me gjurin, ndërsa Blind e Mazraoui nuk janë në formë dhe me të gjitha gjasat nuk do të jenë të pranishëm. Motiv tjetër ai që do ë mbajë jashtë kësaj sfide, Sean Klaiber, sapo është bërë baba. Por Ten Hag, ashtu siç e deklaron edhe vet, ka në dispozicion 16-17 lojtarë të mirë.

Nuk është më e mirë gjendja në kampin tjetër, tek skuadra e Romës, që do të zbarkojë në Hollandë pa Smalling, El Shaaraëy e Mkhitaryan. Problemet në prapavijën e verdhekuqve janë të mëdha, sepse i dëmtuar është edhe Marash Kumbulla, ndërsa Bruno Peres do të zëvendësojë të skualifikuarin Karsdorp. Një linjë emergjente defensive për Fonseca, me Ibanez, Cristante e Mancini, ndërsa lajmi i mirë është rikthimi i sulmuesit, Edin Dzeko.

Në sfidat e tjera, Arsenal do të presë Slavia Prague, me londinezët si favoritët e mëdhenj, ashtu si Manchester United në transfertën e Granadas. Dinamo Zagreb  do të tentojë një tjetër mrekulli, ashtu siç bëri me Tottenham, kësaj radhe përballë spanjollëve të Villareal.