RTSH Sport Live

Liga e Europës, mësohen katër gjysmëfinalistet

  • 15/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Liga e Europës, mësohen katër gjysmëfinalistet
Roma-Ajaks, erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1, të gjithë golat e mbrëmjes, në RTSH Sport

Veprimtaria e dytë më e rëndësishme e klubeve të kontinentit, Liga e Europës, është rikthyer të enjten me ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, që, ndryshe nga sezonin e shkuar, po zhvillohen me sistem vajtje-ardhje. Përveç përballjes midis midis Romës dhe Ajaksit, që është sjellë drejtpërdrejt në kanalin RTSH 1, si çdo të enjte europiane, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të gjithë golat e 4 takimeve të mbrëmjes.

Në Stadiumin Olimpik, pjesa e parë ka nisur me Romën më të rrezikshme në minutat e para, por më pas janë miqtë që marrin në dorë kontrollin e lojës, duke e synuar më tepër portën e italianëve nëpërmjet disa rasteve për të shënuar, por pa ia arritur dot të gjejë rrugën e rrjetës. Kështu, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por e dyta do të shohë Ajaksin ta konkretizojë këmbënguljen e tij, duke gjetur golin e epërsisë në minutën e 49-të.

7 minuta më pas, skuadra holandeze do ta dyfishjojë këtë epërsi, por goli i Dushan Tadiçit, i cili pati gabuar nga pika e bardhë e 11-metërshit në ndeshjen e parë, do të anulohet nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), për një ndërhyrje të parregullt. Dhe, siç ka ndodhur edhe në ndeshjen e parë, Roma i ndëshkon, duke barazuar shifrat në minutën e 72-të, me anë të Edin Xhakos. 18 minutat e mbetura dhe 5 minutat shtesë nuk kanë sjellë ndryshim në shifra dhe Roma e Ajaksi ndahen me një barazim 1-1, duke çuar kështu italianët në gjysmëfinale të Ligës së Europës.

Pasi e kishte mundur Granadën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë, Mançester Junajtid e ka fituar me të njëjtat shifra edhe ndeshjen e kthimit në shtëpi, duke siguruar vendin në gjysmëfinale. Anglezët janë mjaftuar me një gol mjaft të bukur të Edison Kavanit pas vetëm 6 minutash lojë në “Olld Traford”, po edhe një autogol në minutat shtesë.

Një tjetër fitore në fushë të vet mori edhe Vijareali, që, pasi pati fituar minimalisht në Kroaci përballë Dinamos së Zagrebit, falë një goli të shënuar në fundin e pjesës së parë, ka vijuar të fitojë edhe në shtëpi, me dy gola të realizuar po brenda pjesës së parë. Ndonëse kroatët kanë gjetur një gol në pjesën e dytë, ai ka shërbyer vetëm për statistikë, sepse janë spanjollët që kualifikohen për në gjysmëfinale.

Ndërkaq, nuk ka patur surpriza në duelin e fundit, pasi Sparta e Pragës, e cila i pati ka mohuar Arsenalit fitoren në shtëpi vetëm në sekondat e fundit në ndeshjen e parë, ka vijuar të mundet bindshëm në fushën e vet në ndeshjen e kthimit. Skuadra çeke është mundur 0-4 përballë anglezëve, që e kanë mbyllur praktikisht gjithçka me 3 gola brenda 25 minutave të para, duke e vulosur fitoren me një gol të 4-t në çerekoren e fundit. Kështu, Mançester Junajtid do të përballet me Romën, ndërsa në çiftin tjetër, Vijareali do të ndeshet me Arsenalin.