RTSH Sport Live

Liga e Europës njeh tetë çerekfinalistet

  • 18/03/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Liga e Europës njeh tetë çerekfinalistet
Përfundojnë ndeshjet e kthimit të turit të 16-shes, të premten hidhet shorti

Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Europës, është rikthyer të enjten me takimet e kthimit të turit të 16-shes. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar solli drejtpërdrejt në RTSH 1, takimin më të spikatur Milan-Mançester Junajtid, që nisi në ora 21:00. Ndërsa në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00, e deri në ora 23:00, kanë nisur të transmetohet drejtpërdrejt të gjithë golat e mbrëmjes.

Në fakt, takimi i para një jave, i luajtur në Stadiumin “Olld Traford” të Mançesterit është mbyllur në barazim 1-1, duke e lënë gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit. Në barazi të plotë, por me rrjeta të paprekura, është mbyllur 45-minutëshi i parë, por ai i dyti ka parë anglezët ta gjejnë menjëherë golin me Pogba 49’, edhe falë mefshtësisë së mbrojtjes vendase për të larguar topin në zonë, por edhe për vendosjen e gabuar dhe mungesën e vëmendjes nga portieri Domaruma.

40 minutat e mbetura dhe ato shtesë nuk kanë sjellë gola të tjerë dhe Mançester Junajtid mund Milanin 1-0 në “San Siro” dhe vijon më tej, ndërsa italianët e mbyllin këtu aventurën e tyre kontinentale.  Ndërkaq, në takimet e tjera, Ajaksi dhe Vijareali ia kanë dalë që fitores së arritur në ndeshjen e parë, përkatësisht 3-0 në shtëpi dhe 2-0 në fushë të huaj, duke fituar edhe në ndeshjet e kthimit e duke siguruar çerekfinalet.

Holandezët kanë fituar 2-0 në Zvicër ndaj Jang Bojs të Bernës, ndërsa me të njëjtat shifra kanë ngadhënjyer edhe spanjollët në shtëpi ndaj Dinamos së Kievit.

Të papriturën e mbrëmjes e ka dhuruar Sllavia e Pragës, e cila ka kapërcyer atë barazim 1-1 në shtëpi, por duke u kualifikuar pasi ka fituar 2-0 në Skoci ndaj Gllasgou Rejnxhërs, aty ku golin e parë të çekëve e ka shënuar ish-futbollisti i Skënderbeut, Olajinka.