RTSH Sport Live

LIGA E KAMPIONEVE/BAJERNI I MYNIHUT DHE ÇELSI SIGUROJNË ÇEREKFINALEN

  • 17/03/2021
  • |
  • Futboll Bota
LIGA E KAMPIONEVE/BAJERNI I MYNIHUT DHE ÇELSI SIGUROJNË ÇEREKFINALEN
Gjermanët bëjnë “formalitetin” përballë Lacios, anglezët bindin ndaj Atletikos së Madridit

 
Pasi Realit të Madridit dhe Mançester Siti të martën, janë njohur të mërkurën edhe dy skuadra të tjera që sigurojnë vendin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Bajerni i Mynihut dhe Çellsi u bashkohen kështu spanjollëve dhe anglezëve në 8 më të mira e kontinentit. Pasi i kishin fituar takimet e para, përkatësisht 1-0 në Madrid përballë Atletikos vendase dhe 4-1 në Romë përballë Lacios, Çellsi dhe Bajerni i Mynihut kanë vijur t’i fitojnë edhe ndeshjet e kthimit të mërkurën në mbrëmje. Bavarezët kanë bërë formalitetin përballë skuadrës italiane, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale, falë një 11-metërshi të saktë të Robert Levandovskit në minutën e 33-të. Në pjesën e dytë, i sapofuturi Shupo-Moting do të dyfishojë epërsinë e Bajernit të Mynihut në minutën e 73-të, me golin e tij të dytë në 5 ndeshje në Ligën e Kampioneve, ndërsa Parolo do të shënojë për Lacion 8 minuta para fundit, duke bërë që kjo përballje të mbyllet me shifrat 2-1 në favor të gjermanëve. Ndërkaq, në “Stemford Bridxh” të Londrës, Çellsi ka shënuar dy gola, nga një për secilën pjesë loje, për të mposhtur Atletikon e Madridit 2-0 dhe për të siguruar vendin në çerekfinale. Zijek ka realizuar në minutën e 34-t për blutë londinezë, të cilët do ta mbyllin pjesën e parë me këtë epërsi minimale, ndërsa do ta mbizotërojnë edhe të dytën. Anglezët gjejnë edhe një gol në fund, një gol që vulos fitoren e Çellsit në shifrat 2-0, ndërsa aventura e Atletikos së Madridit të Ligën e Kampioneve ndalet këtu.