Finalja e Ligës së Kampionëve midis Manchester City dhe Chelsea më 29 maj nuk do të luhet në Stamboll, por në Porto: UEFA e ka zyrtarizuar gjatë ditës së sotme. Derbi anglez ishte përcaktuar të zhvillohej në Stadiumin Olimpik Ataturk në Stamboll, por njoftimi i bllokimit tre javor bëri që UEFA të ndryshojë vendin.
Mbylljet anti-Coronavirus, në fakt, do të mbërrinin shumë afër 29 majit, duke vënë në rrezik hyrjen e 6,000 tifozëve për ekip që pritet nga federata europiane e futbollit. “Ndryshimi, - ka sqaruar UEFA, - ishte i domosdoshëm pas vendimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të përfshirë Turqinë në listën e saj të kuqe të destinacioneve të udhëtimit Covid-19, që do të kishte parandaluar tifozët të arrinin në Stamboll. Finalja do të zhvillohet në stadiumin Do Dragão në Porto”.
Ceferin: "Nuk ishte e drejtë të luhej pa tifozë"- "Unë mendoj se të gjithë mund të pajtohemi që shpresojmë që kurrë më të mos përjetojmë një vit si ai që sapo kemi provuar - fjalët e presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin, pas njoftimit të ndryshimit të vendit - tifozët duhet të vuajnë për më shumë se dymbëdhjetë muaj pa një shans për të parë ekipet e tyre drejtpërdrejt dhe arritja e një finale të Ligës së Kampionëve është kulmi i futbollit të klubit”.
“Heqja e tifozëve nga shansi për të parë ndeshjen personalisht nuk ishte një opsion dhe unë jam i kënaqur që ky kompromis është gjetur. Pas vitit që tifozët kanë duruar, nuk është e drejtë që ata të mos kenë shansin të shohin skuadrat e tyre në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit".