RTSH Sport Live

Liga e Kampioneve: Reali dhe Mançester Siti, në çerekfinale

  • 16/03/2021
  • |
  • Futboll Bota
Liga e Kampioneve: Reali dhe Mançester Siti, në çerekfinale
Spanjollët dhe anglezët i fitojnë edhe ndeshjet e kthimit përballë Atalantës dhe Borusias së M’gladbahut

Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Europës, Liga e Kampioneve ka njohur të martën në mbrëmje dy çerekfinalistet e para të saj dhe ato janë Reali i Madridit dhe Mançester Siti. Të dy ekipet i kishin fituar ndeshjet e para në fushë të huaj, përkatësisht 1-0 në Itali përballë Atalantës dhe 2-0 ndaj Borusias së Mënshegladbahut dhe kanë vijuar të fitojnë edhe në ndeshjen e kthimit.

 Anglezët e kanë mbyllur praktikisht gjithçka që në 18 minutat e para përballë gjermanëve, duke shënuar dy herë në takimin e kthimit të luajtur në të njëjtin stadium ku u luajt ndeshja e parë, në “Pushkash Arena” të Budapestit në Hungari.

Fillimisht De Bryjne me një goditje në kufinjtë e zonës në minutën e 12-të dhe Gundogan 6 minuta më pas, e kanë bërë kualifikimin e Borusias së Mënshengladbahut praktikisht një mision të pamundur. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola është mjaftuar me këto shifra, duke siguruar kështu vendin në çerekfinale, ashtu siç ka bërë edhe Reali i Madridit, që, kësaj  radhe, e ka patur më të lehtë në përballjen e luajtur në Stadiumin “Alfredo Di Stefano” në kryeqytetin spanjoll.

Madrilenët e kanë mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale, falë një goli të Karim Benzemasë, duke vijuar të dyfishojnë shifrat pas një ore lojë, me një 11-metërsh të saktë të Serxhio Ramosit. Ndonëse Muriel u kundërpërgjigj për skuadrën italiane, me një ekzekutim të përsosur të një goditjeje të lirë, që përshëndeti rrjetën 7 minuta para fundit të kohës së rregullt, është i sapofuturi Marko Asensio që shuan çdo shpresë, sado të vakët, të Atalantës për të provuar përmbysjen duke shënuar golin e 3-të të Realit menjëherë më pas, duke vulosur fitoren e madrilenëve dhe bashkë me të, edhe vendin në çerekfinale.

Të mërkurën do të njihen dy skuadra të tjera çerekfinaliste, pasi Çelsi do të presë në Londër Atletikon e Madridit, pasi e ka fituar minimalisht sfidën e parë në fushë të huaj, ndërsa Lacio përballet me Bajernin në Mynih, me detyrën e vështirë, madje në kufijtë e të pamundurës, të përmbysjes së asaj humbjeje 1-4 të pësuar në shtëpi në ndeshjen e parë.