Të martën në mesditë, Shqipëria e futbollit të femrave, e cila drejtohet nga Armir Grima, ka mësuar kundërshtarët e Ligës së Kombeve, që në shtator nis edicionin e parë. Shqipëria ishte në Ligën B, ndërsa ndodhej në vazon e katërt. Në Ligën B janë 16 skuadrat, të cilat kanë formuar katër grupe me nga katër ekipe. Dhe pas tërheqjes së shortit, Shqipëria ndodhet në grupin B1, atje ku do të ketë për kundërshtar Republikën e Irlandës, Irlandën e Veriut dhe Hungarinë. Kundërshtar që në fakt nuk është ndeshur ndonjëherë në aktivitetet zyrtare, që nga 5 maji 2011 kur ka zbritur për herë të parë në fushë. I vetmi ballafaqim është me Hungarinë dhe kjo ndeshje miqësore, ndërsa më 26 prill 2016, jemi mundur 0-6. Tre ndeshje në shtëpi dhe tre ndeshje në transfertë, ndërsa luhet në shtator, tetor dhe nëntor.
Mbi bazën e rregullores katër ekipet fituese të Ligës B ngjiten në Ligën A, ndërsa katër ekipet e renditura në vendet e dyta në Ligën B do të përballen me katër skuadrat e renditura në vendet e treta në Ligën A, atje ku fituesit do të qëndrojnë ose do të ngjiten në Ligën A dhe humbësit anasjelltas duke qenë pjesë e Ligës B. Tre ekipet e renditura në vendet e treta në Ligën B do të luajnë kundër tre ekipeve të renditura më mirë në grupin C, ndërsa vendi i tretë më i dobët në Ligën B dhe katër vendet e fundit të secilit grup të së njëjtës Ligë do të zbresin automatikisht në Ligën C. Finalet dhe ngjitjet apo rëniet në Ligat A, B dhe C e do të zhvillohen mes datave 21 dhe 28 shkurt të vitit të ardhshëm.
Ajo që është e rëndësishme do të jetë një seri ndeshjes për kombëtaren kuqezi të vajzave, të cilat në fakt, më 7 prill, në “Elbasan Arena” mundën në miqësore Maqedoninë e Veriut 3-1 dhe janë në pritje të miqësoreve të tjera deri në shtator kur starton Liga e Kombeve, teksa pritet një tjetër paraqitje dinjitoze.