RTSH Sport Live

Liga Europiane në Shqipëri

  • 15/02/2023
  • |
  • Të tjera
Liga Europiane në Shqipëri
Sekretari i përgjithshëm Colombo vlerëson zhvillimet e viteve të fundit

FSHF ka hapur dyert për një vizitë të rangut ndërkombëtar. Bëhet fjalë për sekretarin e përgjithshëm të Ligave Europiane, Alberto Colombo, i cili  zhvilloi një vizitë pune në vendin tonë ku diskutoi me drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit.

Gjatë ndalesës në FSHF-së, Colombo u njoh me zhvillimet e futbollit shqiptar, projektet dhe me mbrojtjen e të drejtave të futbollit vendas, klubeve, lojtarëve dhe të tifozërisë. Liga Europiane me mbi 40 anëtarë në të gjithë kontinentin, është një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit në Europë.

Në vijim të vizitës, Colombo u ndal edhe në një vizitë në kompleksin “Partizani” ku u prit nga drejtuesit e klubit kryeqytetas dhe u njoh me investimin për ndërtimin e stadiumit të ri dhe pjesën tjetër të kompleksit. Colombo vlerësoi punën e bërë në kompleksin e kuq ndërsa në vijim vizita u spostua në stadiumin “Air Albania” ku u takua edhe me presidentin e FSHF, Armand Duka.

“Qëllimi kryesor i FSHF-së, i LPF-së dhe gjithkujt që merret me futbollin është zhvillimi i futbollit, i futbollit të fëmijëve, sigurimi i të ardhmes, por gjithsesi hapi i parë krijimit të Ligës padyshim që ka qenë bashkimi i klubeve të “Abissnet Superiore”. E mira dhe perspektiva do të ishte bashkimi i të githë klubeve profesioniste, sepse të gjithë duhet të bashkojnë forcat për të pasur më shumë të ardhura”, – tha Presidenti Duka.

Me kreun e federatës dhe përfaqësuesit e Ligës Profesioniste, u diskutua për benefitet e anëtarësimit të Ligës Shqiptare në Ligat Europiane dhe për mbështetjen konkrete që organizata e njohur ndërkombëtare mund t’u japë klubeve shqiptare, anëtare të LPF-së.