RTSH Sport Live

Liverpuli bie edhe në Bernabeu, Reali në çerekfinale

  • 15/03/2023
  • |
  • Futboll Bota
Liverpuli bie edhe në Bernabeu, Reali në çerekfinale
Blancos hyjnë në tetë më të mirët në Evropë me një rezultat të përgjithshëm 6-2, Reds eliminohen

Me përballjet e dy çifteve të fundit, që u luajtën të mërkurën në mbrëmje përkatësisht në Spanjë dhe në Itali, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit në futboll, Liga e Kampioneve, ka plotësuar edhe tablonë e çerekfinaleve. Ka qenë supersfida Real Madrid-Liverpul ndeshja që Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt për sportdashësit, së bashku me emisionin e posaçëm të Ligës së Kampioneve.

Në fakt, Liverpuli, 7 herë “kampione e Evropës” erdhi me misionin me përmasa monumentale të përmbysjes së asaj humbje 2-5 të pësuar në ndeshjen e parë në fushë e vet, teksa u përball në Madrid me Realin, nga ana e saj plot 14 herë “kampione e Evropës”. Dhe pjesa e parë ka parë anglezët të përpiqen, por janë të paqartë dhe të pamjaftueshëm për ta rrezikuar Realin, që është treguar cinik në lojën e tij dhe do ta kërcënojë seriozisht portën e Liverpulit.

Skuadra e trajnerit gjerman, Jurgen Klop, i është falur instinkteve të Alisonit, por edhe shtyllës, për ta mbajtur të paprekur rrjetën e portës së saj dhe, për rrjedhojë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë ka patur të njëjtën tablo, por madrilenët nisin dhe e rritin trysninë në portën mike dhe, 12 minuta para fundit, Karim Benzema, gjen edhe golin që çon gjithçka përtej çdo diskutimi në këtë duel çerekfinal.

Mbyllet kështu me fitoren e Realit të Madridit, ndonëse minimale, edhe kjo sfidë e kthimit përballë Liverpulit, që e mbyll këtu aventurën kontinentale. Kështu, Liga e Kampioneve ka njohur 8 çerekfinalistet e këtij sezoni dhe ato janë Benfika, Çelsi, Bajerni i Mynihut, Milani, Mançester Siti, Interi, Napoli dhe Reali i Madridit.