RTSH Sport Live

Liverpuli “fundos” Mançester Junajtid

  • 24/10/2021
  • |
  • Angli
Liverpuli “fundos” Mançester Junajtid
Reds triumfojnë në Old Traford me rezultatin 5-0, me gola të Keita, Diogo Jota e Salah (tripletë) dhe ngjiten në vend të dytë

Një humbje shkatërruese për Manchester United  në “Old Trafford” kundër Liverpool-it, 0-5. E ardhmja e Solskjaer në stolin e United duket gjithnjë e më shumë në dyshim. Liverpool e ka dominuar ndeshjen, duke koleksionuar fitoren e gjashtë në nëntë ndeshje në Premier League dhe është rikthyer në vendin e dytë në renditje, me 21 pikë, një më pak se lideri Chelsea. Për United, nga ana tjetër, është humbja e tretë në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit: Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës janë të shtatët në renditje me 14 pikë.

Të besuarit e Klopp e vunë ndeshjen menjëherë në shina, duke zhbllokuar rezultatin pas pesë minutash me anë të Keita. Në 13' vjen edhe dyfishimi nga Diogo Jota. Manchester United nuk arrin të reagojë dhe para intervalit pëson edhe dy gola të tjerë, nga një Salah i papërmbajtshëm. Në pjesën e dytë, Pogba hyn në fushë në vend të Greenëood, por kalojnë 5 minuta dhe Salah gjen tripletën personale, me një asistim fantastik nga Henderson, për 0-5 përfundimtar.

Për Djajtë e Kuq mbrëmja nuk mbaron me kaq: pasi ka pësuar golin e pestë, fillimisht i anullohet një gol i Ronaldos për pozicion jashtë loje dhe më pas Pogba merr karton të kuq, me ndërhyrjen e Var, për një faull të rëndë.