RTSH Sport Live

Liverpuli fundos Milanin, kualifikohet Atletiko

  • 08/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
Liverpuli fundos Milanin, kualifikohet Atletiko
Edhe grupet B, C dhe D mbyllin ndeshjet, Milani eliminohet, kualifikohet Atletiko e Madridit

Pas dy takimeve të para, që janë luajtur më herët dhe të dyja ishin të vlefshme për grupin A, të martën në mbrëmje janë luajtur edhe takimet e fundit të 3 grupeve të tjera, B, C dhe D të Ligës së Kampioneve. Në fakt, në grupet C dhe D ishte përcaktuar gjithçka, si sa u përket dy skuadrave të kualifikuara për më tej, përkatësisht Ajaksit dhe Sportingut të Lisbonës dhe Realit të Madridit dhe Interit, ashtu edhe skuadrës që merr vendin e 3-të dhe vijon më tej në Ligën e Evropës, përkatësisht Borusias së Dortmundit dhe Sherifit të Tiraspolit.

E vetmja “enigmë” ishte vendi i pari i renditjes në grupin D, ku Reali i Madridit ka mposhtur në shtëpi Interin, duke i lënë italianët në vendin e dytë.  Ndërkaq, i vetmi grup ku është luftuar fort ka qenë grupi B, aty ku Porto, Milani dhe Atletiko e Madridit luftuan deri në fund për vendin e dytë dhe biletën tjetër që të kualifikonte për në turin e 16-shes krahas Liverpulit, por edhe ngushëllimit me vendin e 3-të dhe që të çon më tej në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, në Ligën e Evropës.

Ndërkohë që në Portugali, Porto vendase dhe Atletiko e Madridit e mbyllën me rrjeta të paprekura pjesën e parë, në Stadiumin “San Siro”, Fikajo Tomori i bëri kuqezinjtë të ëndërrojnë, duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 29-të. Por Mohamed Salah ka bërë që të heshtin kuqezinjtë, duke barazuar 7 minuta më pas dhe, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me shifrat 1-1. Por në pjesën e dytë, është një tjetër gabim i mbrojtjes milaneze që i ka dhuruar Liverpulit golin e dytë, duke përmbysur shifrat.

Milani është i pafuqishëm për t’i përmbysur këto shifra dhe mundet 1-2, duke u dhënë lamtumirën veprimtarive evropiane të klubeve. Në takimin tjetër të grupit, Antuan Grizman i ka dhënë Atletikos së Madridit epërsinë me golin e shënuar në minutën e 56-të, ndërsa dy gola të tjerë, të shënuar në fund(Correa 90’, De Paul 92’), u kanë siguruar spanjollëve vendin e dytë dhe biletën për në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve. Ndërkaq, Porto ngushëllohet me vendin e 3-të dhe vazhdimin e aventurës kontinentale tashmë në Ligën e Evropës.