RTSH Sport Live

Los Angeles Lakers, arsyet e dështimit

  • 12/04/2022
  • |
  • Basketboll
Los Angeles Lakers, arsyet e dështimit
Shkarkohet trajneri Frank Vogel, pritet dhe largimi i Westbrook

Los Angeles Lakers në fillim të sezonit ishte skuadra favorite për titullin kampion. Tani nuk janë as në fazen play in turneu që të kualifikon për në play off. Është dështimi ndoshta më i madh në NBA pasi 18 muaj më parë fitonin titullin kampion. Por le ti hedhim një sy shkaqeve që e çuan në këtë pikë skuadrën 17 herë kampione të NBA. Në fillim të sezonit LeBron James,  Anthony Davis dhe Rusell Westbrook kishin shtrënguar duart, në një pakt që do ti çonte tek titulli me çdo kusht. LeBron James luajti sezonin më të mirë në statistika që nga 2006 kur ishte 22 vjeç, duke e mbyllur me 30,3 pikë për ndeshje, shënuesi i dytë më i mirë në lige pas Embiid me 30,6 pikë për ndeshje.

Por Anthony Davis me dëmtimet e tij nuk dha kurrë atë që pritej dhe Russell Ëestbrook nuk gjeti kurrë rolin e tij të përshtatshëm. Të tre bashkë luajtën vetëm 21 ndeshje nga 82 sezonale. Edhe në këto 21 ndeshje skuadra fitoi vetëm 10. Këtë sezon Lakers e ndryshoi 39 herë formacionin e parë dhe arriti 31 fitore. Westbrook pati shumë gabime por nuk ishte ai fajtori kryesor ndërkohë që i pari që paguan për këtë eleminim është trajneri Frank Vogel, i cili shkarkohet pas 3 vitesh drejtim, i cili i dha titullin në 2020.

Duhej të ishte shkarkuar që në nëntor kur pati një zënkë në dhomën e zhveshjes me Westbrook por emergjenca Covid e shtyu largimin e tij. Ky sezon nisi për Lakers me vetëm 3 lojtarë nga sezoni i kaluar. Zgjedhjet ishin të gabuara, një skuadër e vjetër në moshë dhe e pa motivuar. Westbrook pas vetëm 1 viti me Lakers mund të largohet drejt Charlotte ose tek Indiana Pacers.

Aktualsiht buxheti i Lakers është me 149 milionë dollarë ku 129 milionë ndahen në vetëm 3 lojtarë LeBron James , Anthony Davis dhe Rusell Westbrook. Madje LeBron do të ketë edhe rritje page dhe do arrijë sezonin e ardhshëm 44,5 milionë në vit. Ndërkohë që tavani i buxhetit vjetor të pagave nga liga nuk i kalon 120 milionë dollarë. Trajneri, i cili pritet ta zëvendësojë Vogel mund të jetë njëri mes Quin Snyder , Doc Rivers dhe Nick Nurse.