RTSH Sport Live

Lotito kritikon Taren

  • 04/07/2022
  • |
  • Itali
Lotito kritikon Taren
Drejtori Sportiv i Lacios drejt largimit. Mediat e konsiderojnë të mbyllur historinë

Tension në hierarkinë më të lartë drejtuese të Lazios. Drejtori sportiv, Igli Tare duket se i ka ditët të numëruara në klubin bardhekaltër pas 14 viteve të suksesshme basbhkëpunimi. Është presidenti Claudio Lotito që i ka treguar derën ish-sulmuesit shqiptar, i cili ka dështuar në afrimet e dy viteve të fundit. Afrimi i Angelo Fabianit në klubin roman është një sinjal i qartë për fundin e erës “Tare” në kryeqytet, kontrata e të cilit me klubin skadon në vitin 2023. Gjatë një mbledhjeje që presidenti zhvilloi në qendrën “Formello” me stafin, Tare nuk ishte i pranishëm, madje sipas mediave italiane Lotito ka pasur një bisedë shumë të tensionuar në telefon me drejtuesin shqiptar. “Il Messagero” shkruan ndër të tjera:

“Lotito bërtiste vazhdimisht në telefonatën me drejtorin sportiv. Diçka është thyer, Igli ndihet i fyer pasi është lënë mënjanë. Këtë herë nuk kishte vetëm kërcënime që mund të harrohen me kalimin e kohës, këtë herë Lotito e ka seriozisht”.

Në vijim, e përditshmja romane shton se ky mund të jetë sezoni i fundit për Taren në Romë por nuk përjashtohet mundësia që ai të reflektojë për një lamtumirë të parakohshme sepse shkarkim nuk do të ketë.

Në lidhje me përplasjen e ditëve të fundit mes palëve  shkruan edhe faqja e specializuar dhe shumë pranë klubit bardhekaltër, “lalaziosiamonoi.it”, sipas së cilës, Tare tashmë me valixhet në duar mund ta prishë vetë kontratë, ndoshta për të punuar me FSHF-në.

Një detaj interesant që faqja në fjalë e vë në dukje edhe pse vetë Tare ka përjashtuar përherë mundësinë e kthimit në Tiranë, të paktën për momentin.