RTSH Sport Live

Luiza Gega “bën nxemjen” për garat e verës

  • 05/06/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Luiza Gega “bën nxemjen” për garat e verës
Dy paraqitje të kënaqshme nga atletja kuqezi në Itali, të premten e të dielën

Rekormbajtësja e shumëfishtë e “Mbretëreshës” shqiptare të sportive, atletikës, Luiza ka patur një fundjavë të ngjeshur, teksa ka hapur sezonin e garave verore në disiplinën e saj të preferuar, 3,000 metra me pengesa. Kështu, ajo ka shënuar një kohë të shkëlqyer të premten, në garën e radhës së veprimtarisë prestigjioze “Diamond Ligë”, të mbajtur në Itali, në Firence. Ndonëse vinte nga një fazë përgatitore e pazakontë prej motit të paqëndrueshëm, Gega ka regjistruar një rezultat mjaft të mirë në aspektin personal.

Kampionia kuqezi regjistroi kohën 9 minuta, 11 sekonda e 94 të qindtat, duke qenë më pak se 2 sekonda rekordit të saj, që sigurisht është edhe rekord kombëtar. Për sa i përket garës, në këtë event morën pjesë atletet elitare botërore, ndërsa në vend të parë u rendit etiopiania Sembro Almajeu, e ndjekur nga keniania Xhaklinë Çepkoeç dhe etiopiania tjetër, Zerfe Uondemagengn.

Ndërkohë sot Luiza mori pjesë në një tjetër garë, në Mitingun Ndërkombëtar në qytetin e Lukas. Kampionia e Evropës u rendit e para në garën e 3,000 metrave me pengesa, duke regjistruar kohën 9:15.86. Gara ka qenë e administruar mirë nga atletija shqiptare, teksa, pa u sforcuar shumë, Gega e bëri dallimin në fund, duke mposhtur kundërshtaren nga Kenia, e cila provoi ta rivalizonte.

Me këto rezultate, Luiza Gega vijon të mbetet rregullisht brenda normës kualifikuese të Lojërave Olimpike, teksa ka regjistruar 5 kohë, dy herë 9 minuta e 10 sekonda, dy herë 9 e 11, një herë 9 e 14 dhe një herë 9 e 15, të cilat të garantojnë gjithashtu edhe finalet e Kampionatit Botëror, aty ku norma është 9 minuta e 23 sekonda.

Kështu sezoni veror 2023 ka nisur mjaft mirë për kampionen kuqezi, e cila duket në formë të shkëlqyer dhe premton. Ndalesat e radhës për Luiza Gegën do të jenë Lojërat Evropiane që do të nisin pas dy javësh, e më pas në një tjetër stacion i “Diamond Ligës” në Lozanë të Zvicrës më 30 qershor. Kujtojmë se Botërori i këtij viti mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, duke nisur nga 23 gushti.