RTSH Sport Live

Luiza Gega, kampione dhe rekordmene e Mesdheut

  • 01/07/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Luiza Gega, kampione dhe rekordmene e Mesdheut
9’14”29 koha e saj e re, që është dhe rekord kombëtar dhe medalja e artë e merituar

Shkëlqen Luiza Gega, e cila shënon të dytën e artë të Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare në “Oran 2022”. Jo vetëm vendi i parë në 3000 metra me pengesa, por rekord mesdhetar e për më tepër rekord kombëtar, ndërsa më 9’14”29 shënon kohën më të mirë të vitit. 9’15”48 në Hengelo, 9’17”89 në Kampionatin Ballkanik në Krajovë dhe 9’20”79 në Mançester. E tanimë në një shpërthim fantastik, me një distancë të madhe me ndjekësit, Gega ul rekordin mesdhetar me 13 sekonda e 49 të qindtat.

E thënë ndryshe nga 9’27”73 në 9’14”29. Po kështu përmirësimi i rekordit kombëtar thyer vetëm përpara tre javësh është përmirësuar me 1 sekondë e 19 të qindtat. Që do të thotë nga 9’15”48 në 9’14”29. Me vendin e dytë, që u mbajt nga tuniziania Buzajani, ishte në një distancë prej 15 sekondash, kurse me të tretin ishte 18 sekonda, i cili u mor nga marokienia Uaziz. Pra një garë e filluar dhe e mbaruar vetëm, ndërsa forma që ka është e atillë që premton shumë dhe në Kampionatin Botëror të Oregonit, teksa më 16 korrik do të konkurrojë në 3000 metra me pengesa.

Ndërkohë një tjetër sukses për atletikën shqiptare ishte Franko Burraj, i cili në 400 metra ka siguruar finalen, si dhe ka thyer rekordin kombëtar me kohën e re 46”26. Rekordi i mëparshëm ishte 46”48, ndërsa finalja e 400 metrave është të shtunën në ora 20:00 me orën e Tiranës dhe do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Pra tre medalje për Shqipërinë dhe krenaria e atletikës mbetet Luiza Gega, kampione e Mesdheut e padiskutueshme.