Një vit të vështirë, por një vit ku ajo më në fund ka bërë realitet një nga ëndrrat e saj të mëdha. Kështu e ka cilësuar 2021-shin rekordmenia shqiptare Luiza Gega, e cila u bë në verë e para shqiptare që arrin në finalen e një disipline të atletikës në Lojërat Olimpike.
“Një vit i vështirë, aktivitetet ishin të aktivizuara por dhe mundësitë për të vajtur atje nuk ëhstë se ishin të lehta. E vështirë, por atë objektivin tim përsa i përket Olimpiadës e realizova dhe ky ka qënë një nga momentet më të bukura le të themi përsa u përket aktiviteteve për vitin 2021”.
Duke folur posaçërisht për RTSH Sport, ajo rrëfen edhe përgatitjet që ka bërë për 2022-shin.
“Akoma nuk I kam arritur limitet e mia dhe dua ta shikoj veten se deri ku mund të arrij. Kjo është arsyeja që vajta për një fazë përgatitore në Kenia, duke qënë se kam vendosur të bëj kampionatin dimëror që do të zhvillohet në mars, kampionatin në salla të mbyllura që do të zhvillohet në Beograd. Për këtë arsye bëmë fazën përgatitore, që është shumë e rëndësishme, dhe mund të them se ka shkuar shumë mirë. Jam optimiste”.
Tanimë, fokusi i atletes shqiptare janë garat në salla të të mbyllura.
“Do të shkoj për një rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave. Sigurisht që do jetë një rezultat I mirë nëse do e arrij. Më pas në Kampionatin Botërorr ku synimi është që të arrij në Top 6. Këto janë objektivat e mia afatshkurtëra”.
Pas Kenias, Gega dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi, do të udhëtojnë drejt Portugalisë për një tjetër fazë të shkurtër stërvitore.