RTSH Sport Live

Lushnja – Dinamo, sfida e objektivave të kundërt

  • 22/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Lushnja – Dinamo, sfida e objektivave të kundërt
Blutë kërkojnë Superioren, verdhejeshilët në luftë për mbijetesë në të Parën

Kategoria e Parë të gjitha ndeshjet e javës së 24-tërt, teksa kanë mbetur dhe dy javë nga përfundimi i kampionatit, do t’i luajë të dielën në ora 15:00. Në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë drejtpërsëdrejti sfida Lushnja – Dinamo, e cila zhvillohet në stadiumin “Roza Haxhiu”. Një sfidë me objektiva të kundërta, teksa Dinamo kërkon Superligën, ndërsa Lushnja mbijetesën.

Blutë janë aktualisht katër pikë larg vendit të tretë dhe llogaria është e thjeshtë: fitorja në Lushnjë do të thotë Superiore. Sepse më pas skuadra e trajnerit Dritan Mehmeti nuk mund të kapet më nga vlonjatët, edhe nëse këta të fundit i fitojnë të tria ndeshjet e mbetura. Në rast barazimi, apo humbje në transfertën e kësaj jave, “ekuacioni” do të zgjidhej me shumë mundësi në javën e fundit dhe do të varej nga kombinimi i rezultateve të dy rivalëve. Nuk do të jetë aspak e lehtë me Lushnjën, sepse ajo ka nevojë për pikë mbijetese në këtë moment.

Dinamo në letër ka shanse të mëdha edhe për titullin kampion të Kategorisë së Parë, por gjithmonë duhet të fitojë ndeshjet e saj. Nëse blutë e bëjnë këtë gjë kanë shumë shanse të parakalojnë Skënderbeun kryesues, që është vetëm një pikë para tyre. Korçarët kanë një kalendar më të vështirë, pasi luajnë në fushat e dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën, siç janë Turbina dhe Lushnja.

Dritan Mehmeti duhet të bëjë apelin për të kuptuar se me çfarë skuadre do të shkojë në Lushnjë. Dinamo është penalizuar çdo javë nga mungesat dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë herë. Gjatë ndeshjes me Besën, për shkak problemesh fizike lanë fushën Imami dhe Bardhi. Nën monitorim mbetet edhe gjendja e Denisonit. Sulmuesi ishte në tribunë kundër kavajasve, për shkak të një tërheqjeje muskulore. E sigurt është mungesa e Smaçit, që duket se e ka mbyllur sezonin për një dëmtim në gju. Lajmi i mirë është rikthimi i Prodanit, i cili ka shlyer skualifikimin për shkak kartonësh. Ndërkohë në sfidën me Besën, që dinamovitët e fituan 1-0, u kthye Ivani, që luajti në pjesën e dytë vetëm pas një dite stërvitje me grupin, ndërsa këtë javë pritet që ai të jetë gati nga minuta e parë.

Tek Lushnja janë të gjithë të gatshëm, ndërsa priten interesante dhe sfidat e tjera.