Skuadra e Lushnjës do të rinisë një tjetër sezon me synimin rikthimin në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, pasi ka dështuar prej disa sezonesh në përpjekjet e saj në Kategorinë e Parë. Tanimë e drejtuar nga ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, Klodian Duro, skuadra myzeqare ka filluar përgatitjen për sezonin e ri me një risi të madhe, fushën stërvitore të rikonstruktuar në Plug, 3 km në veriperëndim të Lushnjës, që është vendosur në dispozicion të skuadrës.
Trajneri Duro do të ketë kështu në dispozicion një terren të përmirësuar stërvitor për të përgatitur maksimalisht skuadrën për sezonin e ardhshëm. Sipas burimeve pranë klubit lushnjar, Duro ka mbajtur një grup prej rreth 20 futbollistësh, nga më të vjetrit që kanë qenë pjesë e Lushnjën vitin e kaluar. Por janp afruar edhe shumë të rinj, ndërsa janë larguar edhe 10 lojtarë që nuk janë në planet e trajnerit.
Skuadra po zhvillon një program me një stërvitje shumë intensive e të plotë, ndërsa pritet të zhvillohet edhe një fazë stërvitore 12-ditore, në një destinacion që ende nuk është zyrtarizuar. Siç dihet, Lushnja ka një buxhet vjetor prej 57.504.132 lekësh, nga të cilat 40 milionë janë subvencionimi që i bën Bashkia klubit të futbollit dhe 17.504.132 lekë janë nga burimet dytësore.
Ndërhyrjet në përmirësimin e terreneve sportive shikohen si shpresëdhënëse për të ardhmen e futbollit të Lushnjës, aty ku kërkohet që gradualisht ekipi të ngjitet me plane të qarta në Kategorinë Superiore.