RTSH Sport Live

Lushnja – Skënderbeu në RTSH Sport

  • 17/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Lushnja – Skënderbeu në RTSH Sport
Titulli kampion i Kategorisë së Parë luhet në stadiumin verdhejeshil dhe atë të Luzit

Lushnja – Skënderbeu është ndeshja e javës së 26-të të Kategorisë së Parë, që shënon dhe fundin e këtij kampionati, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar të enjten duke nisur nga ora 15:00.

 Korçarët kërkojnë titullin kampion në stadiumin “Roza Haxhiu”, ndërsa Lushnja të forcojë pozitat e veta për në Play-out, madje dhe duke përfituar nga fitorja që Besa mund të bëjë në Berat me Burrelin. Sepse kështu Lushnja do të jetë në vendin e nëntë dhe Burreli në të dhjetin, në një kohë kur tashmë Oriku, Turbina, Besëlidhja dhe Tërbuni i kanë dhënë lamtumirën Kategorisë së Parë. E në këto kushte, Oriku ka nisur pushimet së bashku me Tërbunin, ndërsa ndeshja mes tyre në “Ismail Xhemali” të Pukës nuk luhet, sepse pukjanë janë përjashtuar nga kampionati.

Po kështu Korabi ka shansin që duke luajtur me lezhjanët të fiksojë me fitore vendin e pestë në renditje për Play-off. Sepse Apolonia është në transfertën e Vlorës, ndërsa Flamurtari nuk kërkon të bëjë hapa fals e do vendin e tretë. Tomori në Cërrik edhe me një barazim forcon vendin e katërt. Dhe vendi i gjashtë i Play-off luhet mes Apolonisë dhe Luzit 2008, që prêt në shtëpi Dinamon. Gjërat komplikohen për Luzi 2008 sepse Dinamo, nëse Skënderbeu bie në “Roza Haxhiu”, atëherë edhe me barazim, apo fitore merr titullin kampion. Që do të thotë se Federata Shqiptare e Futbollit do të duhet të jetë përgatitur për dy trofe për Kategorinë e Parë, një në Luz dhe një në Lushnje.

Ajo që duhet kujtuar është formula e Play-off të Kategorisë së Parë 3-6 dhe 4-5 pas së cilës fituesja luan me vendin e tetë të Superiores. Pra një mes Flamurtarit, Tomorit, Korabit, Apolonisë e Luzi 2008 kërkon elitën. Ndërkohë po të enjten luhet Play-off i Kategorisë së Dytë. Veleçiku – Valbona në Vorë dhe Pogradeci – Labëria në Rrogozhinë fituesit e të cilit do të luajnë me vendin e nëntë dhe të dhjetë të Kategorisë së Parë, me shumë gjasa me Lushnjën dhe Burrelit. Ja pse java e fundit e Kategorisë së Parë, e gjitha të enjten në ora 15:00, ka shumë emocione dhe enigma.

JAVA 26-TË

18 MAJ 2023

Luzi 2008 – Dinamo                         ora 15:00

Lushnja – Skënderbeu                       ora 15:00

Besa – Burreli                                   ora 15:00

Turbina – Tomori                             ora 15:00

Korabi – Besëlidhja                          ora 15:00

Flamurtari – Apolonia                      ora 15:00