RTSH Sport Live

Lyles për meshkuj dhe Jackson për femra fitojnë në garën e 200 metrave

  • 22/07/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Lyles për meshkuj dhe Jackson për femra fitojnë në garën e 200 metrave
Dy garat e shpejtësisë në 200 metra për meshkuj dhe femra, të zhvilluara brenda 15 minutave, me rezultatet e arritura, kanë qenë të jashtëzakonshme

Emocione të mëdha në Eugene, në ditën e shtatë të garave të Botërorit të Atletikës. Dy garat e shpejtësisë në 200 metra për meshkuj dhe femra, të zhvilluara brenda 15 minutave, me rezultatet e arritura, kanë qenë të jashtëzakonshme. Noah Lyles fiton garën e 200m për meshkuj me një kohë të jashtëzakonshme 19"31, me erën kundër 0,4  metra për sekondë. Por gjithsesi koha e vendosur nga Lyles është rekord i ri për Amerikën dhe rezultati i tretë më i mirë në të gjitha kohërat. Pas tij, medaljen e argjendtë e mori bashkëkombasi i tij, Bednarek me 19"77 dhe të bronxtën Knighton me 19"80.

Në të njëjtën disiplinë gare Shericka Jackson ka qenë e jashtëzakonshme! Xhamajkania fiton medaljen e artë në 200 m me kohën 21"45, me erën që frynte kundër saj me një shpejtësi prej 0,6 metër për sekondë. Gjithsesi ajo është shumë pranë rekordit historik 34 vjeçar të mbajtur nga Griffith Joyner. Koha e arritur nga Jackson është rezultati i dytë më i mirë i të gjitha kohërave. Fraser-Pryce firmos dopietën xhamajkane me medaljen e argjendtë me kohën 21"81.

Në vend të tretë me medaljen e bronxtë, ishte britanikja Asher-Smith me 22"02. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Usain Bolt, teksa ka komplimentuar Jacson, bashkëkombasen e tij,  për rezultatin e arritur.