“Mercedes”-i ka mbyllur të martën në mbrëmje bashkëpunimin pas 11 viteve me Kryeteknikun e skuadrës së Formulës 1, Majk Eliot. Eliot e mori këtë rol para 6 muajsh, duke shkëmbyer vendet me atë që është tashmë Drejtor Teknik, Xhejms Alison. Synimi i tij kishte qenë që të hartonte një strategji teknike me qëllim “rinovimin e kapacitetit teknik të skuadrës për vitet në vijim”, pas një periudhe të vështirë që ka parë skuadrën gjermane të mundet bindshëm në pistë përballë “Red Bull”-it. “Mercedes”-i ka deklaruar se tanimë që kjo strategji është dorëzuar, Elioti “ka vendosur të shkëputet për disa muaj nga ky sport, përpara se të vendosë për sfidën e tij të radhës”.
Kreu i skuadrës së “Mercedes”-it, Toto Volf, ka deklaruar “Majku ka qenë një nga shtyllat e arritjeve të skuadrës sonë gjatë 10-vjeçarit të fundit dhe me të vërtetë jemi të prekur të ndahemi me të sot. “Majku është një mendje e zgjuar teknike dhe një lojtar i madh skuadre dhe ka patur një kontribut masiv, jo vetëm për makinat që kanë fituar, por edhe në kulturën e skuadrës sonë”, - ka vijuar Volfi, duke shtuar: “Por, në anën tjetër, është e qartë se është gati për aventura të reja përtej “Mercedes”-it dhe unë e di që ky është hapi i duhur për të”.
Ndërsa vetë Elioti deklaroi: “Ka qenë një nga privilegjet më të mëdha të karrierës sime që të jem pjesë e kësaj skuadre të “Mercedes”-it. Gjatë kohës sime këtu, e kam parë atë të rrittet nga një numër i vogël njerëzish që mundoheshin të fitonin gara, pastaj një kampionat të parë, pastaj 8 tituj kampion të konstruktorëve të makinave, një rekord më vete, dhe jam krenar që kam dhënë kontributin tim në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm”, - ka përfunduar Majk Eliot.