RTSH Sport Live

Maks Verstapen prish festën e Monzës

  • 11/09/2022
  • |
  • Formula 1
Maks Verstapen prish festën e Monzës
 Triumfon në Çmimin e Madh të Italisë, por zhgënjen mbyllja e vetë garës

Nuk ka patur festë për tifozerinë vendase në jubileun e 75-të në pistën e Monzës, pasi kampioni në fuqi i botës, Maks Verstapen, ka siguruar fitoren e tij të 30-të në karrierë dhe të 5-tën radhazi këtë sezon, duke triumfuar në garën e Çmimit të Madh të Italisë dhe duke e thelluar kryesimin e tij në renditjen e përgjithshme të pilotëve në këtë Botëror të Formulës 1. Holandezi i “Red Bull”-it la prapa rivalin e tij, Sharl Lëklerk, ndërsa podiumin e plotësoi piloti i “Mercedes”-it Xhorxh Rasëll.

Në fakt, ajo që e ka kaluar e para vijën e finishit në garën e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë makina e sigurisë, pasi një avari në “MekLaren”-in e Daniel Riçiardos në 5 xhirot e fundit solli futjen e saj pistë dhe nën regjimin e saj është mbyllur edhe gara e 16-të e këtij sezoni.

Maks Verstapen u nis nga vendi i 7-të, duke fituar shpejt vende dhe ajo që bëri dallimin në këtë garë, përtej epërsive teknologjike të “Red Bull”-it, ishte edhe një herë tjetër strategjia e gabuar e ndalimeve për të ndërruar gomat, që e ndëshkoi sërish pilotin nga Montekarlo të “Ferrari”-t.

Në krahun tjetër, një garë e shkëlqyer për pilotin tjetër të skuadrës italiane, Karlos Sainzin, por edhe 7 herë “kampionin e botës”, Ljuis Hemilton, të cilët e nisën garën nga vendet e fundit, por e mbyllën atë përkatësisht në vendin e 4-t dhe të 5-të, duke u dhënë pikë të vyera skuadrave të tyre.

Maks Verstapen kryeson renditjen e përgjithshme të pilëtve me 335 pikë, 116 pikë më tepër sesa Sharl Lëklerk, i cili ka 219, ndërsa 9 pikë prapa është Serxhio Perez, kur vendin e 4-t e mban Xhorxh Rasëll, me 203 pikë, atë të 5-të Karlos Sainz me 187 dhe atë të 6-të Hemilton, me 168.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti që thotë "TOP 10 1ST ST 2ND FREL BYBLT RACLE $Tezos Α Bull MAX LECLERC SAINZ VERSTAPPEN FERRARI RUSSELL HAMILTON MERCEDES-AMG PEREZ RED BULL RACING NORRIS MCLAREN 4TH 5TH TH GASLY ALPHATAURI DE VRIES WILLIAMS ZHOU ALFA ROMEO 7TH 8TH 9TH TH 10TH"

Image