RTSH Sport Live

Maks Verstapen, “sherifi” holandez i Teksasit

  • 24/10/2021
  • |
  • Formula 1
Maks Verstapen, “sherifi” holandez i Teksasit
 Piloti i “Red Bull”-it bën një garë karakteri dhe fiton duelin me rivalin Ljuis Hemilton

Ka qenë një garë e zhvilluar në Teksasin e largët dhe ka rezultuar një betejë e denjë për filmat “Uestern”, teksa Maks Verstapen dhe Luis Hemilton kanë luftuar deri në finish, por ka qenë holandezi ai që ka mbërritur aty në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thelluar epërsinë e tij në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve.

Gara e së dielës në mbrëmje vonë, me orën e Tiranës, dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka parë britanikun që të niset më mirë, edhe pse nga vendi i dytë dhe të marrë kryesimin për 14 xhiro, kur në lojë u futën strategjitë e skuadrave dhe drejtuesve të tyre.

Kështu, kryesimi ndryshoi emër dy herë, pas dy ndalesave të dy rivalëve për të ndërruar gomat dhe, atëherë kur duhej, Maks Verstapen ruajti gjakftohtësinë dhe administroi epërsinë, edhe pse minimale, për të mbërritur i pari në finishin e garës së zhvilluar në pistën e Ostinit.

Kështu, teksa ka korrur fitoren e 8-të në këtë sezoni, Max Verstapen kryeson renditjen e përgjithshme të pilotëve, me 287.5 pikë, i ndjekur nga Ljuis Hemilton, me 275.5 pikë, ndërsa i 3-ti renditet Valteri Botas me 185 pikë.

Ndërkaq, renditjen e konstruktorëve e kryeson Mercedes, me 460.5 pikë, por “Red Bull”-i është afruar tashmë, në kuotën e 437.5 pikëve.