RTSH Sport Live

Mané si Maradona, ndeshje bamirësie mes baltës në Senegal

  • 16/06/2022
  • |
  • Të tjera
Mané si Maradona, ndeshje bamirësie mes baltës në Senegal
Pjesëmarrja e tij në një ndeshje në fshatin e tij të lindjes, Bambaly, kujton ndeshjen historike të luajtur nga Pibe de Oro në Acerra në 1985

Kur bëhet fjalë për bamirësi, përpjekje për t'u dhuruar buzëqeshje fëmijëve apo të rriturve me më pak fat se një futbollist profesionist, kampionët e futbollit janë të gjithë të njëjtë, pavarësisht palmaresit dhe cilësive teknike.

Kjo është arsyeja pse Sadio Mané mund të krahasohet me Diego Armando Maradona për atë që ndodhi në Senegal. Sulmuesi i Liverpool-it, i cili ishte ndër protagonistët e fitores së parë historike të Senegalit në Kupën e Afrikës janarin e kaluar, rikthehet sa herë që ka mundësi në vendin e tij dhe është shumë aktiv në aspektin social. Ajo që ndodhi në Bambaly, vendlindja e Mané, dhe e postuar në Tëitter nga revista senegaleze '13football_com', është megjithatë e pabesueshme.

Mané luajti në baltë, së bashku me lavditë e vjetra të futbollit vendas si El-Hadj Diouf, Papiss Cissé dhe Mbaye Diagne. Si gjithmonë, sulmuesi nuk donte t'i jepte shumë rëndësi veprimeve të tij të bamirësisë, por e njëjta gazetë më pas njoftoi se lojtari, në procesin e transferimit tek Bayern Munich, tashmë ka investuar në pajisjen e fshatit të tij të lindjes me fushë me bar natyral.

Mendja mund të shkojë vetëm te ajo që ndodhi në dimrin e vitit 1985, kur Diego Armando Maradona, në sezonin e tij të dytë tek Napoli, nuk ngurroi të pranonte apelin e shokut të skuadrës së atëhershme Pietro Puzone, i cili i kishte treguar Diegos historinë e vogëlushit Luca Quarto, një fëmijë nga Acerra i lindur me një keqformim të rëndë dhe që për këtë arsye do t'i duhej të bënte një sërë operacionesh delikate dhe të shtrenjta në Zvicër.

Maradona nuk u mendua dy herë duke shkuar për të luajtur një ndeshje miqësore për bamirësi në stadiumin e rrënuar dhe me baltë Acerra, i cili nuk ekziston më: në vendin e tij që nga marsi i kaluar, megjithatë, ekziston një statujë bronzi në përmasa reale të Pibe. Ato imazhe bënë xhiron e botës, më shumë se ato të Mané, por ngjashmëria dhe zemra e madhe e protagonistëve është e njëjtë.