RTSH Sport Live

Mançester Junajtid kualifikohet, Bajerni bën detyrën

  • 23/11/2021
  • |
  • Futboll Bota
Mançester Junajtid kualifikohet, Bajerni bën detyrën
Mposht Vijarealin 2-0 në Spanjë dhe siguron edhe matematikisht kualifikimin, bavarezët fitojnë 2-1 në shtëpinë e Dinamos së Kievit

Mesjava rikthen Ligën e Kampioneve me ndeshjet e 5-ta të fazës së grupeve dhe të martën luhen takimet e vlefshme për grupet E, F, G dhe H. Dy prej këtyre 8 takimeve janë luajtur më herët dhe, në takimin e vlefshëm për grupin E, Bajerni i Mynihut nuk ka lëshuar në përballjen e zhvilluar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, përballë Dinamos vendase, duke korrur fitoren e 5-të në po aq ndeshje. Bavarezët ishin të kualifikuar dhe udhëtuan drejt kësaj sfide me një numër lojtarësh të rinj, edhe për shkak të virusit “Covid-19”, por kanë patur nevojë për vetëm 14 minuta lojë për të gjetur golin e parë, falë një ekzekutimi instinktiv dhe të shkëlqyer të Robert Levandosvkit brenda zone.

Ndonëse vendasit janë munduar të reagojnë dhe vetëm shtylla e djathtë pingule i ka ndalur pas një gafe të mbrojtjes dhe portierit të Bajernit, Nojer, janë gjermanët që gjejnë edhe golin e dytë, me autor Kingsli Koman, që realizon 3 minuta para fundit të pjesës së parë. Me epërsinë dygolëshe të miqve do të mbyllen kjo pjesë, ndërsa ajo e dyta sheh vendasit të shënojnë golin e ngushëllimit 20 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Ndërkaq, në takimin tjetër, të vlefshëm për grupin F, Vijareali dhe Mançester Junajtid e kanë mbyllur pjesën e parë me rrjeta të paprekura. Ndonëse janë spanjollët që mbizotërojnë në lojë, por ndalen nga portieri mik, David De Hea. Mançester Junajtid do të godasë dy herë brenda 12 minutave të fundit, fillimisht me anë të Kristiano Ronaldos e më pas me anë të Xhejdon Sanços, duke korrur kështu një fitore 2-0. Një fitore që i çon “Djajtë e kuq” në turin e 16-shes, pavarsisht se çfarë do të ndodhë në takimet e tjera.