RTSH Sport Live

Manchester City, menjëherë nën “komandën” e Haaland

  • 07/08/2022
  • |
  • Angli
Manchester City, menjëherë nën “komandën” e Haaland
Haaland menjëherë vendimtar në javën e parë të kampionatit: dopietë dhe 2-0 ndaj West Ham

Në ndeshjen që mbylli javën e parë të Premier League, Manchester City fitoi 2-0 në fushën e  West Ham falë Erling Haaland, në debutimin e tij në ligën angleze. Skuadra e Moyes nisi furishëm dhe, pas zhvillimit të një goditje këndi, iu afrua rrezikshëm golit, por u përball me saktësinë e Ederson. Qytetarët përgjigjen menjëherë me De Bruyne që godet anash në afërsi të zonës së rreptësisë.

Kampionët e Anglisë, me kalimin e minutave u treguan më kërkues, duke i detyruar Hammers të mbyllen në zonë. Në minutën e 20-të, norvegjezi ishte shumë afër avantazhit. Manchester City që vazhdon të kërkojë golin dhe, pas një goli të anuluar me protagonist De Bruyne për pozicion jashtë loje, Haaland pengohet në zonë nga Areola dhe arbitri jep penallti. Nga vendi dhe me shumë ftohtësi, ish-sulmuesi i Dortmundit shënoi golin për 1-0 në minutën e 36-të.

Në pjesën e dytë, West Ham duket se ka një qëndrim krejtësisht të ndryshëm: në minutën e 53-të, një gabim në fazën e vendosjes nga Gundogan i lejon Hammers të afrohen drejt barazimit me Rajs që godet lart mbi traversë. Gianluca Scamacca gjithashtu bëri debutimin e tij, në fushë në vend të Antonio. Në minutën e 65-të, skuadra e Guardiolës dyfishoi: përsëri protagonist Erling Haaland, i cili serviret në thellësi nga De Bruyne, godet me të majtën dhe mposht Fabianskin.

Me kalimin e minutave, mysafirët menaxhojnë dhe kontrollojnë ndeshjen. West Ham përpiqet të shikojë përpara me goditjen me kokë të Scamacca-s, por Ederson mbyll portën. Manchester City fiton kështu 2-0 dhe i përgjigjet Tottenham dhe Chelsea.