RTSH Sport Live

Manchester City nuk njeh pengesa, marshon drejt titullit

  • 13/03/2021
  • |
  • Angli
Manchester City nuk njeh pengesa, marshon drejt titullit
Craven Cottage, Premier League - Fulham 0 Manchester City 3 (Stones 47' Jesus 56' Aguero 60' pen.)

Marshimi i Manchester City drejt një titulli të tretë të Premier League në katër sezone vazhdon, ndërsa të besuarit e Pep Guardiola krijuan një largësi prej 17 pikësh me ndjekësin më të afërt pas fitores 3-0 në fushën e Fulham.

Qytetarët provuan shumë gjatë gjithë pjesës së parë, por pa arritur të konkretizojnë si duhet në fushën e Fulham. Sidoqoftë, fillimi i pjesës së dytë solli menjëherë golin për të besuarit e trajnerit Guardiola, me John Stone të aftë për të konkretizuar aksionin.

Guardiola kishte bërë shtatë ndryshime nga ekipi që u përball me Southampto, me Sergio Aguero dhe Gabriel Jesus në sulm, që u përgjigjën në mënyrën e duhur, duke shënuar në portën e kundërshtarit.

Braziliani përfitoi nga një rrëmujë në zonën e vendasve për të dyfishuar, para se Aguero të gjente rrugën e rrjetës nga pika e bardhë. Të besuarit e Scott Parker mbeten në zonën e rënies, kanë luajtur edhe dy ndeshje më shumë se Brighton i vendosur në vendin e 17-të.

City tani duhet të mendojë për Ligën e Kampioneve, të martën, ndeshja e dytë kundër Borussia Monchengladbach, para se të vizitojë Everton në raundin e gjashtë të Kupës FA të shtunën. Lufta e Fulham për të siguruar qëndrimin në Premier League vazhdon me përballjen me Leeds të premten në mbrëmje.