RTSH Sport Live

Manchester United shumë i forte, Roma reziston një pjesë loje

  • 29/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Manchester United shumë i forte, Roma reziston një pjesë loje
Përballja e parë e gjysmëfinaleve, që dhuroi spektakël, erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1

Dueli më i spikatur i ndeshjeve të para të gjysmëfinaleve të veprimtarisë së dytë e klubeve të kontinentit, Ligës së Europës, ka qenë ai që u luajt në Stadiumin “Olld Traford”, midis  Mançester Junajtid dhe Romës, që dhuroi një festival golash. Kjo ishte edhe ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.

Pjesa e parë ka nisur me skuadrën vendase që kaloi në epërsi pas vetëm 9 minutash lojë, me anë të Bruno Fernandesit. Por Roma barazoi shifrat vetëm 6 minuta më pas, falë një goditjeje të saktë nga pika e bardhëeë Pelegrinit. Skuadra italiane përmbysi shifrat në minutën e 34-t, me anë të Edin Xhekos.

Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohin në fushën e blertë vetëm një skuadër, Mançester Junajtid, që barazon menjëherë shifrat me Edison Kavanin. I njëjti lojtar përmbysi shifrat në favor të anglezëve në minutën e 64-t, me golin e tij të dytë personal. 7 minuta më pas, plotëson dygolëshin e tij edhe Bruno Fernandes, që gjithashtu tregohet i saktë nga pika e bardhë.

Humbja do të marrë përmasa të mëdha në minutën e 75-të, kur Pol Pogba arriti të thellojë në 5-2 epërsinë e “Djajve të kuq”. 4 minuta para fundit ka kohë edhe për Mejson Grinuud për shënuar golin e 6-të. Mançester Junajdit korr kështu një fitore tenistike, 6-2 ndaj Romës, dhe hedh një hap drejt finales së madhe.