RTSH Sport Live

Maqedonia e Veriut, tri skuadra shqiptare në luftë për titull

  • 31/03/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut, tri skuadra shqiptare në luftë për titull
Struga drejtuar nga Shpëtim Duro kryeson kampionatin, Shkupi e Shkëndija ndjekin nga pas

Në sezonin 2020-2021 tri skuadrat shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut luftonin për titullin kampion dhe për një vend në Kupat e Europës. Në atë kohë Shkëndija u shpall kampione, ndjekur nga Shkupi e Struga. Kur kanë kaluar dy vite nga ai sezon, një tabllo e tillë është përsëritur sërish. Këtë herë nuk është Shkëndija që po kryeson, por ekipi i Strugës. Interesant është fakti se kjo skuadër po drejtohet nga Shpëtim Duro. Më 28 shkurt të këtij viti, drejtuesit e Strugës do të shkarkonin Zaharieskin pas rezultateve të dobëta dhe vendin e tij e mori tekniku 63-vjecar.

Në tri ndeshje në stol, Shpëtim Duro ka arritur 2 fitore e një barazim, ku suksesi më i rëndësishëm ishte ndaj Shkupit me rezultatin 2-1. Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga përfundimi i kampionatit, Struga është në kuotën e 46 pikëve, katër distanca larg nga Shkupi i vendit të dytë e 5 nga Shkëndija drejtuar nga Qatip Osmani. Një duel deri në fund për titullin kampion, fakt është se në fund të sezonit do të kemi një skuadër shqiptare që do të arrijë drejt titullit.