RTSH Sport Live

Markez rikthehet të “pushtojë” Amerikën

  • 30/09/2021
  • |
  • Moto GP
Markez rikthehet të “pushtojë” Amerikën
Piloti spanjoll ka fituar 6 nga 7 garat e zhvilluara në Ostin

"Mbreti i Amerikës" kthehet për të shkelur tokën e tij të premtuar. Marc Márquez zbret në Austin (Teksas), një tjetër prej cirkuiteve të tij të preferuar. Pas një viti pushim për shkak të pandemisë, në MotoGp rikthehet Çmimi i Madh i Amerikës. Botërori i Moto Gp do të zhvillojë vetëm një garë në kontinentin amerikan për t’u rikthyer në Evropë me tre garat e tjera në Misano, Portimao dhe Valencia.

Marc Márquez i cili, ende në një gjendje rikuperimi, mezi priste të udhëtonte në një nga cirkuitet e tij të preferuara në kalendar, atë të Amerikës. Aty ku ai ka mbretëruar gjithmonë, përveç në vitin 2019, kur rrëzimi e la atë pa fitoren e tij të shtatë radhazi. Në Austin, e njëjta pistë me Formula 1, piloti spanjoll ka fituar 6 nga 7 garat e zhvilluara aty, pa iu dhënë asnjë mundësi rivalëve, duke u shpallur kështu Mbreti i Amerikës. Por siç thotë ai vetë, ky vit "është pak më ndryshe".

Situata e tij me dëmtimin e krahut dhe kufizimet e tij janë përmirësuar, por në një cirkuit të gjatë 5.5 km me 20 kthesa (11 në të majtë dhe 9 në të djathtë), dhimbja në vendin e dëmtuar, nuk do të zgjasë shumë për t'u shfaqur. Për këtë arsye, pas vendit të katërt në Misano, që na bën të mendojmë për një podium të sigurt në Austin, piloti i Hondës e ka të qartë situatën e tij, për garën në Amerikë.

"Megjithë problemet e mia, unë thjesht shkoj atje me të njëjtin mentalitet si gjithmonë, të jap maksimumin tim, të marr 100%  nga gara dhe, mbi të gjitha, ta shijoj atë”, - ka thënë Marquez. "Eshtë një pistë që më pëlqen dhe në të kaluarën ka qenë shumë e mirë për ne. Por ky vit është pak më ndryshe me situatën tonë aktuale.

Si gjithmonë, do të jetë e rëndësishme të punojmë gjatë fundjavës dhe të shohim se ku jemi të Dielën në mëngjes”. Por duke ditur mentalitetin e spanjollit, të gjithë e dinë, se Marc Marquez do të kërkojë, ose të paktën do të përpiqet të rimarrë territorin e tij.