RTSH Sport Live

Marquez: Nuk tërhiqem nga Moto GP

  • 30/06/2022
  • |
  • Moto GP
Marquez: Nuk tërhiqem nga Moto GP
”Unë jam një luftëtar e dua të fitoj edhe një titull tjetër”

Prej kohësh Marc Marquez po i bën llogaritë me kundërshtarë të tjerë, të rinj, jashtë pistës së motorëve. Në mendjen e 8 herë kampionit të botës nuk është vetëm ideja se si të mposhtë rivalët për titullin në MotoGP, por edhe se si të kalojë dyshimet, frikën e krijuar pas këtyre tre viteve të tmerrshme. Nga fraktura në shpatullën e djathtë në 2020 në Jerez deri në rishfaqjen e problemit, e më pas operacioni i katërt në krah para disa javësh. Një sprovë e cila duhet ta kishte detyruar 29-vjeçarin spanjoll të tërhiqej nga Moto Gp.

Marquez nuk bën lojë fjalësh, i drejtpërdrejtë dhe vendimtar siç është zakonisht në pistë: “Kishte momente kur mendoja të largohesha. E kam menduar në vitin 2021, por edhe këtë vit pas atij aksidenti në Mandalika që më zgjoi problemin e shikimit. Por e kuptova që, nëse do ta kisha bërë, nuk do të isha konsideruar kurrë aq i fortë sa më parë. Motivimi është ende aty. E di që është e vështirë, por do të vazhdoj”.

Megjithatë është e vështirë të pritet një Marquez i ngjashëm me atë që nga 2013-2019 ka fituar dhe ka vendosur rekorde të njëpasnjëshme. Qasja e spanjollit të Hondës është pak më ndryshe: “Deri në vitin 2019 ajo që më mbajti gjallë ishte dëshira për të fituar. Pavarësisht rrëzimeve dhe lëndimeve, synimi për fitore më motivoi. Tani është pak më ndryshe sepse më duhet të përballem me sfidën e të qenit ende i shpejtë.

Por motivimi është ky: të gjejmë zgjidhje për të luftuar për podiumin dhe një tjetër titull. E ndjej në zemër se ky synim është i arritshëm”. Por hapi i parë që duhet të bëjë Marquez është zbutja e karakterit të një Honde të paqëndrueshme, duke shtuar vështirësitë e tjera teknike: “Më duhet të punoj në drejtimin e motorit. Krahu nuk është si më parë, ndaj më duhet të përdor më shumë këmbët për të kontrolluar motorin, duke shmangur kështu një dëmtim të ri në kokë dhe problemet e mundshme me shikimin”.

E megjithatë është e pamundur të mendosh për një Markez të gatshëm të mos rrezikojë kurrë: “Kur të ndodhë kjo, unë do ta përfundoj karrierën time – tha piloti spanjoll. - Duke ndërmarrë rreziqe sa herë që është e mundur, kam fituar tetë tituj botërorë. Shpresoj të lë imazhin e një kampioni që dha gjithçka për sportin e tij nga gara e parë në MotoGP deri në fund. Nuk e di nëse do të kem sukses, por askush nuk mund të më thotë se nuk kam dhënë më të mirën. Do të luftoj edhe për vendin e gjashtë”. Një premtim që Marc synon ta nderojë deri në fund.