RTSH Sport Live

Martin Muhedini dhe Kristal Dule, kampionët e tenisit

  • 09/06/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Martin Muhedini dhe Kristal Dule, kampionët e tenisit
Shqipëria përgatitet për garat ndërkombëtare, pritshmëritë janë për rritje niveli

Martin Muhedini dhe Kristal Dule janë kampionët e rinj të tenisit në Shqipëri. Ceremonia e dorëzimit të trofeve është zhvilluar në ambientet e “Nacional Park” në Tiranë, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Tenisit, Ferdinand Sulo, ka vlerësuar zhvillimin e këtij aktiviteti për mikrofonin e RTSH Sport.

“Ishte një kampionat në një nivel mjaft të mirë, megjithëse ndiheshin pasojat e pandemisë, i cili ka frenuar aktivitetet masive të këtij sporti. Megjithatë, niveli i treguar na jep shpresë për të konkuruar në nivele të larta”, ka deklaruar Sulo.

Ndërkohë në vendin e dytë për femra është renditur Grejsi Bajri, kurse për meshkuj Arbër Sulstarova. Dhe kampionët e rinj të tenisit, Muhedini dhe Dule, kanë treguar se ka qenë një garë e vështirë.

Muhedini thotë: “Duhet mundë dhe stërvitje, duhet sa më shumë përkushtim në stërvitje”. Ndërsa Dule është e drejtpërdrejtë: “Ishte shumë shume e vështirë, por u paraqita mirë dhe fitova”

Sakaq kombëtarja për femra, e cila në gjirin e saj ka Kristal Dulen, Grejsi Bajrin, Brunilda Mrrukun, Juna Danin dhe Rea Qinanin do të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar në Lituani. Kurse meshkujt, në përbërje të të cilit janë Eldi Mjeshtri, Daniel Osiad, Martin Muhedini dhe Arbër Sulstarova, do të marrin pjesë në Shkup. Ja dhe pritshmëritë e presidentit Sulo për kombëtaren e Shqipërisë.

“Arritjen e cilësisë sportive dhe përballimin me dinjitet të ekipeve kundërshtare, ku janë mbi 20 ekipe pjesëmarrëse. Jemi modest në pretendimet tona”, ka theksuar presidenti Sulo.

Por pritshmëri të mëdha kanë dhe kampionët Dule dhe Muhedini. “Presim të ngjitemi më lart, të paktën të fitojmë dy përballje në grup, është arritje për ne”, ka deklaruar Muhedini.

Ndërsa Dule ka theksuar: Ma mer mendja që do luajmë shumë mirë, më pas të shikojmë”.