RTSH Sport Live

Martini largohet nga Teuta, në sfond Vllaznia

  • 03/06/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Martini largohet nga Teuta, në sfond Vllaznia
Klubi durrsak vazhdon spastrimet, pas Markut e Grudës në dalje edhe Kallaku

Edi Martini nuk do të jetë më trajneri i Teutës. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi durrsak, nëpërmjet faqes së tyre zyrtare: “Klubi i Futbollit Teuta njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me tranjerin, Edi Martini. Me këtë rast, KF Teuta falënderon Martinin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën blu, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen”, shkruhet në komunikatën, që i hap tashmë rrugë një skenari të ri. Për Martinin në sfond është Vllaznia, klub me të cilin nuk kanë qenë të pakta kontaktet ditët e fundit. Lëvizja e klubit të Teutës shkon në këtë drejtim, duke qenë se me rikthimin në pankinë të teknikut shkodran, rezultatet e skuadrës ishin shumë të mira.

Në përllogaritjen e pikëve nga koha që Martini u ul në pankinë durrsakët bënë 40 pikë, vetëm 5 më pak se Partizani e Tirana, ndërsa në total skuadra u katapultua nga zona e rënies drejt Europës të humbur vetëm në javën e fundit në humbjen me të kuqtë, që fituan titullin kampion. Te Teuta megjithatë ky sezon nuk mund të quhej pozitiv dhe kanë nisur veprimet e para për riformatimin e skuadrës. Albion Marku dhe Ildi Gruda janë larguar gjithashtu zyrtarisht nga skuadra, edhe pse sezonin që sapo u mbyll luajtuën një rol kyc.

Me shumë mundësi në dalje është edhe Sherif Kallaku, që ka si destinacion të ardhshëm kampionatin rumun. Vetëm pasi të ketë përfunduar punën me rinovimet dhe me largimet e të pakënaqurve apo të padëshiruarve, Teuta do të nisë afrimet për të ndërtuar një skuadër të aftë të konkurojë për nivele të larta…