Dy ndeshje që mund të ushqejnë ëndërrën për të shpëtuar sezonin e Teutës e që për më tepër mund të largojnë shijen e hidhur të një kampionati nën pritshmëri. Ato me Tiranën, në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë, mund ta afrojnë skuadrën e Edi Martinit me atë Europë që është dukur një mirazh sa herë që është shfaqur në horizontin e djemve të detit në këtë sezon. Pasi përmirësuan renditjen e kampionatit me fitoren në derbi, transferta në shtëpinë e kryesuesve vjen në kohën e duhur.
Teuta mund të luajë lojën e saj të preferuar të kundërsulmit, për të tentuar të luajë pastaj gjithcka në Niko Dovana. Martini e di mirë cfarë lloj ndeshje duhet të presë e për fat ka pothuaj të gjithë kontigjentin në dispozicion. Dyshimi i vetëm sidoqoftë mund ti përziejë kartat shkodranit, sepse bëhet fjalë për kapitenin Kotobelli. Mbrojtësi i majtë ka një shqetësim muskular që i rrezikon formacionin në 90 minutat e para gjysëmfinale, kështu që nëse nuk ia del në 11-she do të gjejë vend Gjinollari, në të majtë të mesfushës që kompletohet nga Emiljano vila dhe Beqja.
Në këtë rast, Kouros do të zbresë të zëvendësojë kapitentin në të majtë, duke formuar linjën katërshe para Qirkos me Markun, Jazxhi e Qaqi. Përpara gjërat janë krejtësisht të qarta për durrsakët me dyshen sulmuese të deklaruar Daci-Lorenco Vila, me këtë të fundit në një formë impresionuese dhe Kallakun si rifinitor. Teuta shpreson të përmirësojë disi edhe statistikat e Kupës që e shohin 6 herë fituese në 25 përballje, nga të cilat 8 janë mbyllur në barazim. Tirana përvec 11 fitoreve ka edhe dominimin e golavarazhit me një 19:35 që nuk lë shumë dyshime mbi historikun…