Gjimnasti rus, Matvei Petrov, që garon për ngjyrat kuqezi, ka siguruar të dielën medaljen e artë në garat e Kupës së Botës që po zhvillohet në Varna të Bullgarisë. Në disiplinën e kalit me doreza, që është në fakt edhe specialiteti i tij, gjimnasti 32-vjeçar zuri vendin e parë. Duke folur posaçërisht për RTSH-në, si Petrovi, ashtu edhe trajneri i tij shqiptar, Alon Hasa, kanë rrëfyer emocionet e medaljes së fituar.
Petrov: “Të fitosh një medalje të artë në një Kupë Bote është gjithmonë e vështirë, por këtë herë e bëra siç duhet ushtrimin dhe jam i kënaqur”.
Hasa: “Përgatitjet për në Paris po vazhdojnë mirë. Gara tjetër e radhës është një Kupë tjetër Bote në Kroaci. Më pas është Kampionati Botëror , i cili është dhe kualifikues për në Lojërat Olimpike, në Antëerp 2023
Gjimnasti, i cili është njëri nga sportistët e huaj që këto vitet e fundit kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka grumbulluar pikë të rëndësishme për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ndërsa bashkëpunimi i tij me trajnerin shqiptar, Alon Hasa, vazhdon të japë fryte.
Petrov: “Shumë mirë. Tani ne kemi ndërruar edhe rutinën tonë të ushtrimeve, duke e bërë atë edhe më të vështirë dhe më ambicioz. Por jemi në rrugë të mbarë për në Paris”.